Meqenëse këtë vit do të shënojmë përvjetorin jubilar të 17 shkurtit dhe 5, 6 dhe 7 marsit, Qeveria e Republikës së Kosovës, Qeveria po përkujdeset të kemi një program të begatë dhe të denjë për këto data.
Me vendim të Kryeministrit Kurti, me 13 dhjetor është caktuar Këshilli Organizativ për shënimin e këtyre dy datave dhe mua më është besuar kryesimi i tij.
Ndërsa bashkëkryesues dhe përgjegjës për barrën kryesore të punës u caktua ministri Çeku.
Anëtarë të Këshillit Organizativ, u caktuan edhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, ministrat Mehaj, Nagavci, Murati, nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci, përfaqësuesja nga Presidenca e Republikës së Kosovës, Donjeta Miftari, komandanti i FSK-së, gjeneral Bashkim Jashari dhe drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj.
Më vonë, Këshillit i janë bashkangjitur edhe ministri Sveçla dhe përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Muhamet Bilalli.
Që nga muaji dhjetor, Këshilli ka zhvilluar takime dhe ka caktuar grupin punues të nivelit teknik ku dhe është punuar plani 30 ditor, i mbushur me aktivitete të lloj-llojshme të cilat do zhvillohen jo vetëm në Kosovë, por edhe gjithandej botës.