Reperi Sean "Diddy" Combs, po përballet me akuza për përpjekje për të penguar hetimin që është duke u zhvilluar ndaj tij, nën dyshimin për krime seksuale.
Prokurorët kanë pohuar se ani pse reperi aktualisht ndodhet në burg në Brooklyn, ai ka vazhduar të tentojë të ndikojë te dëshmitarët dhe të manipulojë opinionin publik për të ndikuar në procesin gjyqësor që po e pret, ka shkruar
CNN.
Në një dosje të re ligjore, prokurorët kanë deklaruar se një hetim i bisedave telefonike të regjistruara nga burgu ka zbuluar se Combs ka përdorur llogaritë telefonike të të paktën tetë të burgosurve të tjerë për të shmangur monitorimin nga autoritetet. Ai dyshohet se ka përdorur edhe thirrje dhe sisteme të paligjshme për të dërguar qindra mesazhe tekstuale, përfshirë ato që u dërgonte njerëzve jashtë listës së tij të kontaktit të miratuar.
Prokurorët gjithashtu pretendojnë se Combs ka tentuar të kontaktojë dëshmitarë dhe viktima të mundshme të rastit, me qëllimin për t’i manipuluar ata.
“Për t’i bërë të heshtin ose për t’i nxitur ata të japin dëshmi në favor të tij”, thuhet në deklaratën e prokurorëve.
Ata i kanë kërkuar gjykatës të mos e lejojnë atë të dalë nga burgu, duke theksuar se ai ka vazhduar të kërcënojë integritetin e hetimit, duke përdorur fushata në rrjetet sociale dhe duke tentuar të ndikojë në publik, përfshirë edhe një video ku fëmijët e tij festojnë ditëlindjen e tij.
Për përpjekjet e Combsit për të ndryshuar opinionin publik flitet edhe në dokumente të tjera ligjore. Në dokumnete thuhet se pas urdhrit të gjykatës i cili ndaloi palët të bënin deklarata publike rreth rastit, ai ka kërkuar që anëtarët e familjes së tij të postonin materiale në rrjetet sociale dhe më pas ai vetë i ka monitoruar postimet dhe reagimet e audiencës.
“Combs e ka diskutuar hapur me familjen e tij se si të siguroheshin që videoja të kishte efektin e dëshiruar tek anëtarët e jurisë”, kanë deklaruar prokurorët.
Avokatët e Combs, nga ana tjetër, kanë pohuar se ka informacion të ri që mund të përgënjeshtrojë disa nga akuzat e prokurorëve. Sipas tyre një dëshmitar që u cilësua si viktima e dytë, mund të mos ketë asnjë bazë në deklaratat e tij dhe se dëshmitë që janë grumbulluar mund t'i hedhin poshtë akuzat për manipulim të dëshmitarëve.
Combs është i akuzuar për krime të rënda seksuale, ndërsa mbrojtja në liri i është mohuar tri herë nga gjykata, edhe pëkundër dorëzanisë prej 50 milionë dollarësh.
Ai ndodhet në qendrën e paraburgimit në Brooklyn të New Yorkut dhe gjyqi ndaj tij do të fillojë në muajin maj të vitit të ardhshëm.