Tema e radhës për ngjarjen më të madhe të modës në botë është caktuar e po ashtu edhe nikoqirët.
Ngjarja “MET Gala”, si çdo të hënë të parë të muajit maj, do të mbahet në New York në Muzeun Metropolitan të Artit vitin e ardhshëm me nikoqirë si Pharell Williams, Lewis Hamilton, Colman Domingo, A$AP Rocky dhe LeBron James, të cilët do ta ndihmojnë muzeun ta lansojë ekspozitën që vë në pah stilin e veshjeve të burrave me ngjyrë gjatë shekujve, shkruan
AP.
Williams dhe Hamilton ishin në detyrë të mërkurën për t’iu ndihmuar zyrtarëve të Muzeut Metropolitan të Artit në New York për ta publikuar temën “Superfine: Tailoring Black Style” të ekspozitës së veshjeve që do të mbahet në pranverën e ardhshme.
Kodi i veshjes do të bëhet i ditur në fillim të vitit të ardhshëm.
Ekspozita këtë vit ka të bëjë ekskluzivisht me veshjet e burrave.