Emocionet që i sjellë Kombëtarja e Kosovës në futboll, rikthehen sonte në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
Dardanët do të përballen me Rumaninë në ndeshjen e parë të sezonit të ri në Ligën e Kombeve, duel ky që do të transmetohet drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës.
Kjo sfidë e cila pritet të sjellë një atmosferë të zjarrtë në ‘Fadil Vokrri’, është tejet e rëndësishme për të dy kombëtaret të cilat synojnë që edicionin e ri në këtë garë joshëse ta nisin me fitore.
Kombëtarja jonë mbrëmë në ‘tempulli’ e kryeqytetit, ka zhvilluar stërvitjen e fundit para duelit me rumunët.
Atmosfera në taborin e Kombëtares sonë, është tejet e mirë dhe premtuese për një start të furishëm të edicionit të ri në Ligën e Kombeve.
Trajneri i Kosovës, Franco Foda është shprehur optimist se Kombëtarja jonë do ta nis me fitore edicionit e ri në Ligën e Kombeve.
Foda thotë se skuadra e tij është përgatitur maksimalisht për sfidat e këtij sezoni në Ligën e Kombeve.
“Jemi përgatitur intensivisht që t’i fitojmë lojërat e ardhshme në Ligën e Kombeve. Rumania është skuadër e fortë, kanë bërë paraqitje të mirë në Evropian, por besoj se ne jemi përgatitur mirë që ta fitojmë këtë ndeshje”, ka theksuar Foda në konferencën e fundit para duelit me Rumaninë.
Ndeshja Kosova-Rumania fillon në orën 20:45.