Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Numri i njerëzve që përdorin rrjetin social Facebook çdo ditë është rritur në një mesatare prej dy miliardë në dhjetor, që është rreth një e katërta e popullsisë së botës, shkruan BBC.
Rritja është më e madhe se sa pritej dhe ka sjellë një optimizëm të ri në kompani, e cila është nën presion për shkak të rritjes së kostove dhe rënies së shitjeve të reklamave.
Aksionet e kompanisë mëmë Meta u rritën me më shumë se 15 për qind pasi shefi Mark Zuckerberg shpalli vitin 2023 si “vit të efikasitetit”. Ai shtoi se është i fokusuar në uljen e shpenzimeve.
“Ne jemi në një mjedis tjetër tani”, ka thënë ai, duke treguar rënien e të ardhurave në vitin 2022, hera e parë në historinë e kompanisë pas viteve të rritjes dyshifrore.
“Ne nuk presim që kjo të vazhdojë, por gjithashtu nuk mendoj se do të kthehet në mënyrën si ishte”, shtoi Zuckerberg.
Meta, e cila zotëron gjithashtu Instagramin dhe WhatsAppin, njoftoi një ristrukturim të madh vitin e kaluar, duke përfshirë reduktimin e hapësirave për zyra dhe pushimin nga puna të 11 mijë punëtorëve, ose 13 për qind të stafit të saj. Këto lëvizje i kushtuan 4.6 miliardë dollarë vitin e kaluar, gjë që përfaqësonte një goditje për fitimet, të cilat pothuajse u përgjysmuan. Fitimi arriti në 23.2 miliardë dollarë.
“Viti 2022 ishte sfidues, por mendoj se e mbyllëm me përparim të mirë”, beson Zuckerberg.
Në tre muajt deri në dhjetor, kompania realizoi të ardhura prej 32.2 miliardë dollarësh, ose 4 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, është një rezultat më i mirë se ai që pritej nga analistët.
Zuckerberg gjithashtu beson se kompania po bën përparim me produktin e saj, Reels, për ta rivalizuar TikTokun.