Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Sot, më 4 shtator, në Rahovec nis edicioni i sivjetëm i Hardh Fest, festivali më i madh i vjeljes së rrushit në Kosovë. Festivali do të zgjasë deri të dielën, më 6 shtator.
Programi nis në orën 11:00 me Karnavalin e Vreshtarëve, parakalimin tradicional nëpër qytet dhe prerjen ceremoniale të kalaveshit të parë të rrushit, që shënon fillimin zyrtar të vjeljes.
Gjatë ditës do të zhvillohet Hardh Panairi, me produkte të rrushit, verës, rakisë dhe gastronomisë, si dhe gara tradicionale të vjeljes së rrushit.
Në mbrëmje, programi artistik sjell Mjeshtrin e Madh Vendim Kapaj dhe ISO Polifoninë, ndërsa kulmi i natës do të jetë koncerti i Modern Talking me Thomas Anders & Band, të cilët performojnë për herë të parë në Kosovë. Në skenë do të ngjiten edhe Vedat Ademi dhe DJ 029.
Të shtunën performojnë Naser Berisha, Tuna, Era Istrefi dhe DJ Maarvel, ndërsa festivali mbyllet të dielën me Endri & Stefi Priftin, Anxhela Peristerin, Xhensila Myrtezajn dhe DJ Enndzin.
Përgjatë tri ditëve do të ketë edhe aktivitete të tjera, përfshirë Hardh Tour, Hardh Sprint, Hardh Eks, Hardh Kids dhe Hardh Expo.
Nikoqir i edicionit të vitit 2026 është futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Lumbardh Dellova, ndërsa Ambasador Nderi është Antonio Pomillo, kryetar i komunës së Vaccarizzo Albanese në Itali.
Me sloganin “Për kokërr t’qefit”, Hardh Fest synon të promovojë traditën e vreshtarisë, kulturën dhe turizmin e Rahovecit, duke tërhequr vizitorë nga Kosova, rajoni dhe diaspora.