Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Zyra e Rregullatorit për Energji ka aprovuar tarifat e reja të energjisë elektrike për periudhën 2026-2027, pa ndryshim të çmimit për konsumatorët.
Vendimi u mor sot në mbledhjen e Bordit të ZRRE-së, ku u konfirmua se tarifat do të mbeten të njëjta si vitin e kaluar.
“Miratohen tarifat e reja pa ndryshim, pa rritje, siç kanë qenë vitin e kaluar”, deklaroi kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.
Në të njëjtën mbledhje, ZRRE aprovoi edhe të hyrat maksimale të lejuara për operatorët energjetikë në vend.
Për KOSTT, të hyrat maksimale për vitin 2026 janë aprovuar në vlerë prej 76 milionë e 444 mijë euro.
Ndërsa për KEDS, të hyrat maksimale të lejuara janë 185 milionë e 960 mijë euro, ku sipas ZRRE-së janë përfshirë edhe devijimet e kostove nga vitet e kaluara.
Për KESCO, të hyrat maksimale të aprovuara arrijnë në 442 milionë e 228 mijë euro.
Kujtojmë se më 16 prill 2025, ZRRE kishte miratuar rritjen e tarifave të energjisë elektrike prej 16.1 për qind.
Nga 1 maji 2025, tarifa ditore për konsum deri në 800 kilovatë orë ishte rritur nga 7.79 në 9.05 centë për kilovat, ndërsa tarifa e natës nga 3.34 në 3.88 centë.
Për konsum mbi 800 kilovatë orë, tarifa ditore ishte ngritur nga 13.29 në 15.43 centë për kilovat, ndërsa ajo e natës nga 6.27 në 7.28 centë.
Rritja e tarifave kishte qenë lineare për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla që furnizohen në kuadër të Shërbimit Universal.