Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ndotja e ajrit në Prishtinë ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë ditëve të fundit, duke kaluar normat e lejuara dhe duke paraqitur rrezik për shëndetin e qytetarëve. Sipas ekspertëve të mjedisit, kjo gjendje po vazhdon tash e më shumë se një muaj, me përkeqësim të dukshëm, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes.
Eksperti i mjedisit Ilir Morina ka bërë të ditur se indeksi i cilësisë së ajrit ka arritur në nivelin 174, ndërsa vlerat e grimcave PM2.5 dhe PM10 janë deri në tri herë mbi normat e përcaktuara nga ligjet e Kosovës dhe direktivat evropiane. Sipas tij, kjo situatë konsiderohet e pashëndetshme dhe e rrezikshme.
Ekspertët kërkojnë zbatimin e masave afatgjata, përfshirë ndërrimin e filtrave të termocentraleve, kontrollin teknik të automjeteve dhe ndalimin e përdorimit të lëndëve ndotëse për ngrohje. Po ashtu, bëhet thirrje për kontroll më të rreptë të peletit dhe ndalimin e djegies së mbeturinave.
Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se kushtet atmosferike po ndikojnë në përkeqësimin e ndotjes, ndërsa apelon që qytetarët të kontribuojnë në uljen e emetimeve. Kujdes i shtuar rekomandohet për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kardiovaskulare dhe respiratore.
Ministria e Mjedisit nuk ka kthyer përgjigje lidhur me masat konkrete që po ndërmerren për përmirësimin e cilësisë së ajrit.