Real Madridi po përballet me një krizë serioze në stol, ndërsa shkarkimi i trajnerit Xabi Alonso duket vetëm çështje ditësh.
Presidenti Florentino Pérez ka tentuar një lëvizje të bujshme duke i ofruar Zinedine Zidane një rikthim të përkohshëm deri në fund të sezonit, por francezi e ka refuzuar ftesën, pasi raportohet se ka një marrëveshje verbale për të marrë drejtimin e Kombëtares së Francës pas Botërorit 2026. Pakënaqësia ndaj Alonsos është rritur pas rezultateve të fundit zhgënjyese, ndërsa drejtuesit e klubit e akuzojnë për mungesë autoriteti në dhomën e zhveshjes, tolerancë ndaj yjeve dhe rënie të intensitetit në përgatitjet taktike.
Edhe Jurgen Klopp është përjashtuar nga opsionet pasi nuk është i gatshëm të marrë drejtimin e madrilenëve, duke e shtyrë klubin drejt zgjidhjes më të realizueshme: Alvaro Arbeloa, trajneri i akademisë, i cili pritet të marrë përkohësisht ekipin e parë pas largimit të Alonsos. Paralelisht, drejtuesit po përgatisin një ristrukturim të thellë të skuadrës, me disa lojtarë që mund të largohen në verë, ndërsa synimi kryesor mbetet rikthimi i disiplinës, intensitetit dhe identitetit konkurrues të Real Madridit në një moment delikat për ambiciet e sezonit.