Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, mori pjesë mbrëmë në Gala-n e futbollit italian, ku u përfshi në Formacionin e Vitit të Serie A, si vlerësim për paraqitjet e shkëlqyera në sezonin e kaluar me Napolin, me të cilin u shpall kampion i Italisë si një nga protagonistët kryesorë të ekipit. Mbrojtësi kosovar ka ruajtur formën e lartë edhe këtë sezon, pasi në tetë ndeshje si titullar nën drejtimin e Antonio Contes, Napoli ka pësuar vetëm tre gola me të në fushë.
Formacioni i Vitit përfshiu emra të njohur të Serie A-së, përfshirë Scott McTominay, Lautaro Martinez, Tijjani Reijnders, Nicolo Barella, Denzel Dumfries, Alessandro Bastoni dhe Federico Dimarco.
Rrahmani u shfaq në këtë mbrëmje festive i shoqëruar nga partnerja e tij, Drita Stublla, ndërsa çifti tërhoqi vëmendjen e mediave me paraqitjen elegante në veshje të zeza. Ky vlerësim konsiderohet si një tjetër moment krenarie për futbollistin kosovar, i cili vazhdon të mbetet një nga mbrojtësit më të vlerësuar në kampionatin italian.