Interi po e ndjek me interes portierin e Tottenham Hotspur, Guglielmo Vicario, i cili thuhet se dëshiron të kthehet në Serie A në fund të këtij sezoni. Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport dhe Il Corriere dello Sport, Nerazzurrët e shohin Vicariun si pasues të mundshëm të Yann Sommer, me të cilin pritet të ndahen pas përfundimit të edicionit aktual.
Zikaltërit e kishin pasur në radar edhe në verën e vitit 2023, pas largimit të Andre Onana-s drejt Manchester United, por atëherë Tottenham veproi më shpejt dhe siguroi shërbimet e tij, ndërsa Interi zgjodhi Sommerin. Vicario ka kontratë me klubin londinez deri në qershor 2028 dhe përfiton rreth 2.8 milionë euro në sezon.
Sa i përket çmimit, Tottenham kërkon rreth 30 milionë euro, ndërsa sipas Corriere dello Sport, klubi anglez mund të jetë i gatshëm të negociojë edhe për 25 milionë euro. Megjithatë, një transferim i tillë do të përfaqësonte një investim të madh për Interin për një portier që mbush 30 vjeç vitin e ardhshëm, çka nuk përputhet plotësisht me politikën aktuale të transferimeve të klubit, e cila fokusohet kryesisht te lojtarët e rinj.