Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Filmi i njohur The Intern i vitit 2015, i shkruar dhe drejtuar nga Nancy Meyers, po përshtatet në një version korean të mbështetur nga Warner Bros. dhe JOAT Films. Në versionin origjinal, Robert De Niro luante një pensionist që punon si praktikant në një kompani mode dhe krijon një miqësi të veçantë me CEO-në e saj, rol i interpretuar nga Anne Hathaway.
Remake-u korean është tashmë në prodhim, me aktorin Choi Min-sik, i njohur nga filmi klasik Old Boy, në rolin e De Niros, ndërsa Han So-hee, e njohur nga serialet My Name dhe Soundtrack #1, në rolin e Hathaway. Filmin e drejton Kim Do-young.
Korea e Jugut ishte tregu ndërkombëtar më i madh i filmit origjinal, me mbi 24 milionë dollarë të arkëtuar. Prandaj, realizimi i këtij versioni është një hap strategjik për Warner Bros., që vetëm këtë vit ka fituar mbi 58 milionë dollarë në arkën filmike koreane.
Ky remake është projekti i parë i marrëveshjes mes Warner Bros. dhe JOAT Films, e cila ka për qëllim zhvillimin e filmave të rinj të fokusuar në tregun aziatik.