Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Një hetim i BBC ka nxjerrë në pah një rrjet ndërkombëtar që shet ilegalisht bileta për ndeshjet e Premier League, duke i ofruar ato për çmime shumëfish më të larta se vlera e tyre reale.
Sipas raportit, kompani të regjistruara në Spanjë, Gjermani, Dubai dhe Zvicër po përdorin programe kompjuterike (bots) dhe identitete false për të blerë bileta përmes sistemeve online të klubeve angleze. Më pas, këto bileta rishesin përmes faqeve të listuara nga Premier League si “të paautorizuara”.
Gazetarët e BBC arritën të sigurojnë bileta për katër ndeshje fundjavën e kaluar, përfshirë edhe derbin Manchester City – Manchester United, pavarësisht se ndeshja ishte e shitur prej javësh. Çmimet e paguara ishin dy deri në katër herë më të larta se vlera në biletë, ndërsa disa tifozë të tjerë që blenë nga këto faqe raportuan se nuk u lejuan të hynin në stadium.
Hetimi zbuloi se vetëm për një ndeshje të Arsenalit ishin të listuara mbi 18 mijë bileta – afro një e treta e kapacitetit të stadiumit Emirates. Ekspertët paralajmërojnë se shumë nga këto janë “listime spekulative”, pra bileta që realisht nuk ekzistojnë.
Klubet kanë reaguar duke bllokuar me qindra mijëra llogari të dyshimta: Chelsea raportoi se ka ndaluar 350 mijë blerje të bëra nga “bots”, Liverpool mbylli mbi 100 mijë llogari false, ndërsa Arsenal anuloi mbi 70 mijë anëtarësi të dyshimta. Megjithatë, vetëm 12 arrestime për shitje të paligjshme biletash u raportuan sezonin e kaluar në të gjithë Anglinë.
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se tregu i zi nuk po ndikon vetëm në çmime, por rrezikon edhe sigurinë, pasi biletat shpesh përfundojnë në duart e tifozëve të skuadrave rivale, duke shkelur rregullat e ndarjes së tifozëve në stadium.
Hetimi i BBC tregon se fenomeni është “endemi” në futbollin anglez dhe ka ngritur thirrje të reja që qeveria, klubet dhe Premier League të marrin masa më të ashpra kundër tregut të zi.