Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Policia franceze ka arrestuar 12 persona pas një sërë incidentesh të ndodhura gjatë “Fête de la Musique” – një festival muzikor mbarëkombëtar që mblodhi miliona njerëz në rrugët e Francës fundjavën që shkoi. Sipas Ministrisë së Brendshme, 145 persona kanë raportuar se janë pickuar me gjilpëra gjatë ngjarjeve të ndryshme në qytete të ndryshme të Francës, përfshirë të paktën 13 raste vetëm në Paris.
Në Paris, tre raste janë duke u hetuar nga prokuroria, përfshirë një vajzë 15-vjeçare dhe një djalë 18-vjeçar, të cilët raportuan për shqetësime fizike pas incidentit. Sipas CNN dhe BFMTV, viktimat janë pickuar zakonisht në krah, këmbë apo në pjesën e pasme të trupit.
Ministria franceze ka theksuar se situata po trajtohet me serioz, duke kryer analiza toksikologjike për të verifikuar nëse janë përdorur substanca narkotike si GHB ose Rohypnol – të njohura për efektet paralizuese dhe për përdorimin në rastet e abuzimit seksual.
Policia ka bërë të ditur se në total, janë arrestuar 371 persona gjatë natës së së shtunës, 90 prej të cilëve në Paris, për incidente të ndryshme gjatë festimeve.
Para festivalit, disa influencuese feministe kishin paralajmëruar për thirrje në rrjetet sociale që nxisnin sulme me gjilpëra ndaj grave. Kryepolici i Parisit, Laurent Nuñez, i quajti këto thirrje “krejtësisht idiote dhe të rrezikshme”.