Aktori Jack Betts, i njohur për rolin e tij në “Spider-Man” të vitit 2002 dhe për pjesëmarrjen në disa filma të njohur western spageti si “Sugar Colt”, është ndarë nga jeta të enjten, më 19 qershor, në moshën 96-vjeçare.
Lajmin e hidhur e konfirmoi nipi i tij, Dean Sullivan, i cili bëri me dije se aktori ndërroi jetë i qetë në gjumë në banesën e tij në Kaliforni.
Betts la pas të afërmit e tij të dashur: motrën Joan, nipin Sullivan dhe mbesat Linnie dhe Gail.
Ai kishte një miqësi të veçantë me aktoren Doris Roberts, të njohur për rolin e saj në serialin “Everybody Loves Raymond”, me të cilën shfaqej shpesh në evente të ndryshme në Hollywood deri në ndarjen e saj nga jeta në vitin 2016.
I lindur në Jersey City, New Jersey, Betts u zhvendos në Miami në moshën 10-vjeçare. Pasi përfundoi shkollën e mesme në Miami, ai vazhdoi studimet për teatër në Universitetin e Miamit dhe më pas u transferua në New York, ku nisi karrierën e tij në skenat e Broadway-t. Roli i tij i parë i madh ishte në vitin 1953 në shfaqjen “Richard III”.
Ai u bë pjesë e Studios së Aktorëve dhe debutoi në kinema në vitin 1959 me filmin kanadez “The Bloody Brood”.
Gjatë karrierës së tij, Betts u shfaq edhe në shumë seriale televizive si “Checkmate”, “General Hospital” dhe telenovelat e njohura “The Edge of Night”, “The Doctors”, “Another World” dhe “All My Children”.
Në kinematografi, përveç rolit në “Spider-Man”, ai luajti në filma si “Gods and Monsters”, “The Assassination of Trotsky”, “Falling Down”, “Batman Forever”, “Batman & Robin”, “8MM” dhe “Office Space”.
Një pjesë e rëndësishme e karrierës së tij ishin edhe filmat western spageti ku shpesh përdorte pseudonimin “Hunt Powers”, me debutimin në këtë zhanër në filmin “Sugar Colt” në vitin 1966.