Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Sezoni i tretë i “And Just Like That” del në origjinën e “Sex and The City”

Film  |  19.06.2025 Ora 17:06   
Nëse ekziston dikush që nuk lodhet për ta nisur nga e para ajo është padyshim Znj. Carrie Bradshaw. Bradshaw i ka parë të gjitha, adhurimin nga seriali që rriti një brez (ose më tepër), përçmimin e kritikëve dhe (një pjese të publikut) karshi filmave artistikë bazuar aty (sidomos i dyti), si edhe një lloj braktisje me ri-kthimin tek “And Just Like That” – kapitulli final, urojmë, i sagës.
E nëse dy sezonet e para të AJLT u larguan aq shumë nga ajo që SATC ishte, sa nuk po gjenin dot veten as fansat e dikurshëm as ata që njiheshin për herë të parë me historinë e personazhet, sezoni i tretë duket sikur ka gjetur veten. Kjo, ose mbase pritshmëritë tona u ulën aq shumë sa tashmë edhe një shkëndijë e vogël na duket si zjarr bubulak.
Në fund të zezonit të dytë, Carrie ri-gjeti romancën me Aidan (John Corbett), shiti apartamentin e saj ikonik për një shtëpi më të madhe (ato që në Manhattan quhen Townhouse të stilit Viktorian), për të nisur sezonin e tretë sërish vetëm – me ca dhoma e shkallë më tepër; ah po ka edhe një mace që quhet shoe (këpuca), e cila nuk është e zonja të kapë qoftë edhe një mi.
Në një artikull të “The Atlantic” të përpara disa ditëve thuhej se (serialet në) televizion(i) është gjithmonë e më shumë duke u larguar nga realiteti i publikut që e konsumon atë duke na shitur një jetë aq të gënjeshtërt dhe sipërfaqësore sa është e vështirë ta gjesh veten në këpucët e personazheve që sheh në ekran. Edhe pse kjo mund të jetë e vërtetë deri diku, më duhet ta them që me tre seritë që kanë dalë deri tani, “And Just Like That” (më në fund) është argëtues, i hidhur (diçka që i ka munguar thuajse tërësisht që prej fillimit) dhe të bën për të qeshur.
Një nga goditjet më të forta që ky rikthim i Sarah Jessica Parker (Carrie), Cynthia Nixon (Miranda) dhe Kristin Davis (Charlotte) morri ishte mungesa e zamkës që lidhte grupin (edhe pse shumë mendonin që kjo është Parker) – Kim Cattrall (Samantha Jones), e cila për shkak të mosmarrëveshjeve me show-runner-in Michael Patrick King dhe (vetë) Parker nuk pranoi ti rikthehej gruas shumëplanëshe që ndihmoi gratë në botë të ishin vetja më shumë se dhjetra organizata feministe (si edhe të bënin seks ‘si burra’). Vitin e kaluar pati një përjashtim, duke u ‘riveshur’ si Znj. Jones për pak minuta në sezonin e dytë (mbas një telefonate të drejtorit të HBO, siç ka treguar vetë ajo në një intervistë). Mungesa e saj,  do të bëntë që narrativa nga ajo e katër personazheve të shpërndahej aq shumë sa ishte e pamundur të ndiqje një linjë të caktuar.
Këtë sezon Sarita Choudhury është tashmë një lloj Samante, ajo vendos veten para burrave që nuk e vendosin atë të parën, si edhe shumë episode tejet qesharakë që i japin asaj një zë të munguar në kapitull.  Në përpjekje për të qënë më përfshirës AJLT pati shumë gra me rrënjë të ndryshme nga ato të katër grave kryesore duke u shpërndarë shumë. Këtë sezon Choudhury ka më shumë hapësirë ndërsa historia paralele e mikeshës së Charlotte interpretuar Nicole Ari Parker është zvogëluar duke e bërë këtë sezon të ketë më shumë shije të Seksit dhe Qytetit. Sigurisht nuk ka aq seks – por të paktën flitet për të – dhe qyteti nuk duket aq artificial sa në dy sezonet e tjera. Po ashtu ka më shumë ironi, cinizëm, më pak vetpërmbajtje në dialogje (në epokën e cancel culture, skenaristët e kanë të vështirë të shkruajnë gjëra pa peshën e opinionit publik që mund të dëmtojë menjëherë serialin) pra më shumë batuta jo politikisht-korrekte.
Bradshaw gjithashtu është më shumë vetja në këtë vazhdim. Jemi mësuar me të dhe marrëdhëniet e saj dis-funksionale, të cilat duket sikur i rrinë përshtat po aq sa kapelet e çuditshme që vesh në rrugë. E tillë eshtë edhe kjo me Aiden (prapë). Marrëdhënia e tyre në distancë ka plot momente autentike në këto tre seri të para të cilat të mbushin me shpresë për seritë e ardhshme. Po aq marrëdhënia e saj me MacBook-un është rikthyer fuqishëm (edhe pse tani ajo që shkruan nuk është biografike sa është trillim, dhe më poetike, dhe nuk fillon me frazën e famshme), sa janë rikthyer edhe tavolinat katërshe në restorante, bisedat dyshe duke ecur, udhëtimet plot të papritura që përfundojnë brenda një serie dhe momente të tjera si këto. Jo vetëm Bradshaw por të gjitha zonjat (në moshë) të Sex And The City kanë dalë në zërin e tyre pas shumë përpjekjesh për të gjetur veten mbas dy dekadave. Miranda është Miranda, Charlotte është absurde deri në siklet – njësoj si dikur…
Veç këtyre, kostumografia, planet dhe ndriçimi janë më ‘rastësore’ në dukje që të japin një ndjesi më të dashur vizualisht. Skenari ka një përmirësim të ndjeshëm, montazhi gjithashtu, deri tek përdorimi i kolonave zanore që më në fund janë në nivelin që do duhet të ishin që prej fillimit.
Por xhanëm, më mirë vonë se kurrë.
Nëse keni qënë ndjekës të SATC por jeni zhgënjyer me filmat dhe zhgënjimi u thellua kur AJLT nisi, duhet ti jepni një shans këtij sezoni, që të mos ngelni tek ‘I couldn’t help but wonder’.
 
 

Komentet

Marketing

 

Tjera në Film

Marketing