Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Michael Scheuer, një ish-punonjës i Disney nga Florida, është dënuar me tre vjet burg nga një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara, pasi pranoi fajësinë për hakimin e serverëve të kompanisë. Përveç dënimit me burg, Scheuer është urdhëruar të paguajë gati 690,000 dollarë në emër të kompensimit, shumica e të cilave do t’i shkojnë Disney-t.
Në janar, Scheuer pranoi fajësinë për një akuzë për mashtrim kompjuterik dhe një tjetër për vjedhje të rënduar identiteti. Ai kishte punuar si menaxher për prodhimin e menuseve të restoranteve të Disney-t dhe kishte qasje në serverët e brendshëm për krijimin dhe publikimin e tyre.
Pas shkarkimit të tij në qershor të vitit të kaluar për shkelje të politikave të kompanisë, Scheuer vazhdoi të hakojë sistemet, duke ndryshuar çmime, duke shtuar gjuhë të pahijshme në menutë dhe, më shqetësuesja, duke falsifikuar informacionin për alergjenët – duke e paraqitur, për shembull, një ushqim që përmbante kikirikë si “pa kikirikë”, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e klientëve.
Hakimi i tij gjithashtu shkaktoi dëme serioze teknike: ai ndryshoi fontet e teksteve në simbole ikonash të njohura si "wingdings", duke bërë që sistemi i krijimit të menuseve të bëhej i papërdorshëm. Kompania u detyrua ta ndalte sistemin përkohësisht për të rikthyer të dhënat nga kopjet rezervë.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DOJ) gjithashtu raportoi se Scheuer kishte ndryshuar informacionet e rajoneve të verës nëpër menu duke i lidhur ato me vendet ku kishin ndodhur të shtëna masive, dhe kishte përdorur mjete të automatizuara për të bllokuar llogaritë e të paktën 14 punonjësve të Disney-t.
Në një deklaratë për CNN, avokati i tij theksoi se Scheuer mbetet i penduar për veprimet e tij dhe se dënimi që mori ishte gjysma e atij që kishte kërkuar prokuroria.