Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Greqia ka njoftuar një shpërndarje të mbi $1 miliard për të mbështetur familjet me të ardhura të ulëta dhe për të stimuluar investimet publike, pas një performance të fortë fiskale gjatë vitit 2024.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis e bëri këtë njoftim pas publikimit të një teprice buxhetore prej 1.3% — një shifër e jashtëzakonshme në krahasim me shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, shumica e të cilëve janë në deficit.
Në një fjalim kombëtar, Mitsotakis e lidhi këtë sukses me “rritjen dinamike,” përpjekjet kundër shmangies nga taksat, dhe reformat kyçe që dhanë rezultate më të mira se sa pritej. Ai theksoi se teprica e buxhetit do t’i mundësojë qeverisë të kthejë fonde për qytetarët, duke respektuar gjithashtu rregullat fiskale të BE-së.
Nga ky nëntor, qiramarrësit që plotësojnë kushtet do të marrin një muaj me qira falas çdo vit, ndërsa pensionistët, individët pa sigurim shëndetësor, dhe personat me aftësi të kufizuara do të përfitojnë një shpërblim vjetor prej $283. Rreth 948,000 familje dhe 1.4 milion individë pritet të përfitojnë nga kjo iniciativë.
Për më tepër, do të shtohen 566 milionë dollarë çdo vit në Programin e Investimeve Publike për të nxitur projekte infrastrukturore dhe sociale dhe për të mbështetur rritjen e vendeve të punës në një klimë të pasigurt globale.
Ekonomia e Greqisë ka shënuar një rimëkëmbje të qëndrueshme gjatë viteve të fundit, pas një krize të gjatë borxhi që shkatërroi ekonominë e saj dhe e detyroi të merrte disa paketa shpëtimi ndërkombëtare.