Vetëm pak javë pasi gruaja, e njohur si Jane Doe, hoqi dorë nga akuzat, reperi ka ngritur padi ndaj saj dhe avokatit të saj, Tony Buzbee, për ndjekje të keqdashëse dhe abuzim me procesin ligjor.
Sipas dokumenteve të gjykatës të siguruara nga Page Six, Jay-Z pretendon se Doe dhe avokati i saj komplotuan për ta akuzuar atë në mënyrë të rreme për sulm seksual, duke i shkaktuar një dëm financiar prej të paktën 20 milionë dollarësh.
Në padi thuhet se ata ishin të motivuar nga “lakmia, në shpërfillje të plotë të së vërtetës dhe parimeve më themelore të ndershmërisë njerëzore”.
Jay-Z kërkon dëmshpërblim për ndjekje të keqdashëse, abuzim me procesin ligjor, konspiracion civil dhe shpifje.
Ai pretendon se Doe ka pranuar vullnetarisht se avokati i saj, Buzbee, e shtyu atë të vazhdonte me këtë histori të rreme pasi një leter shantazhuese nuk arriti të siguronte përfitime financiare.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Doe thuhet se ka deklaruar: “Buzbee e përfshiu Jay-Z në këtë çështje.” Në dhjetor 2024, Doe dha një intervistë për NBC News, ku akuzoi reperin e hitit Can I Get A… për përdhunim në një festë pas çmimeve MTV Video Music Awards në New York, në vitin 2000, kur ajo ishte 13 vjeç. Megjithatë, së fundmi, Doe ka pranuar publikisht se kishte “mospërputhje” në historinë e saj.