Në Shoqatën e Distributorëve Farmaceutikë kanë thënë se mungesa e furnizimit me barna mund të ndodhë, si pasojë e “veprimeve të pakoordinuara të Ministrisë së Shëndetësisë rreth vendimit për unifikimin e çmimeve”. Në Odën e Farmacistëve e kanë kualifikuar vendimin si të pazbatueshëm, kryesisht shkaku i ankesave të farmacistëve për mungesë të informatave rreth vendimit. E në Ministrinë e Shëndetësisë kanë theksuar se zbatimi i Ligjit për çmimet e produkteve medicinale është i detyrueshëm
Paralajmërim për mundësinë e përballjes me mungesë të furnizimit me barna ka bërë Shoqata e Distributorëve Farmaceutikë, në një reagim rreth vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për unifikimin e çmimeve në treg.
Në këtë shoqatë kanë thënë se mungesa e furnizimit mund të ndodhë si pasojë e “veprimeve të pakoordinuara të Ministrisë së Shëndetësisë rreth vendimit për unifikimin e çmimeve”.
Ismail Shurdhaj, kryetari i kësaj shoqate, ka shprehur ankesë se barnatoret do të përballen me humbje të mëdha në rast se e zbatojnë listën e çmimeve, të miratuar nga Ministria.
“Situata për momentin me furnizim është kaotike. Farmacitë e kanë stokun e tyre që janë duke operuar me çmime, ma merr mendja siç kanë qenë, ndërsa ne jemi në pritje të ndonjë vendimi të ri që mundëson shtyrjen e afatit të ekzekutimit, sepse me këto stoqe që i kemi, nëse operojmë me çmimet që i ka publikuar Ministria e Shëndetësisë, humbjet janë enorme”, ka theksuar ai.
E Astrit Haxhijaha, nënkryetari i Odës së Farmacistëve, ka thënë se vendimi është i pazbatueshëm për disa arsye. Si një prej arsyeve, ai ka numëruar ankesat e farmacistëve për mungesë të informatave rreth vendimit dhe rreth vendosjes së banderolave nëpër barna.
“Me datën 1 shkurt obligohen të gjitha barnatoret që të ngjitin çmime në banderola, gjë që nuk janë kompetente barnatoret, por është Agjencioni për Produktet dhe Pajisjet Medicinale. Kurse, për vendosjen e tyre janë përgjegjës importuesit apo depot farmaceutike”, ka theksuar Haxhijaha.
Ai ka bërë të ditur se është kërkuar edhe opinioni ligjor i Administratës Tatimore (ATK), nga e cila ka thënë se ka marrë përgjigje që çmimi i barnave nuk duhet të jetë nën vlerën e kostos së blerjes.
Por ndryshe nga Shoqata e Distributorëve Farmaceutikë dhe nga Oda e Farmacistëve, qytetarët e kanë kualifikuar vendimin për unifikimin e çmimeve si të duhur.
“Vendimi i Ministrisë (së Shëndetësisë) është shumë me vend, në mënyrë që çmimet të jenë të unifikuara, sepse me të vërtetë ka pasur diferencë të madhe. Prandaj, e konsideroj shumë të rëndësishëm këtë vendim”, ka thënë Fehmi Rrustemi, qytetar i Prishtinës.
E qytetari tjetër, Agim Krasniqi, ka thënë se vendimi duhet të mendohet mirë.
“Nuk mundet tash që për hir të këtij vendimi, që është shumë me vend, të pësojnë kompanitë e ndryshme, që mund të kapitullojnë. Prandaj, këtu duhet menduar mirë”, ka theksuar ai.
Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se me gjithë ankesat e shprehura, zbatimi i Ligjit për çmimet e produkteve medicinale është i detyrueshëm.
“Ligji nuk parashikon mundësinë e një kompromisi. Zbatimi i ligjit është i detyrueshëm dhe nuk lejohet lëshim apo kompromis në lidhje me çmimet e barnave”, është thënë në një përgjigje të MSH-së për KOHËN.
Në këtë Ministri kanë bërë të ditur po ashtu se lidhur me vendimin është bashkëpunuar në vazhdimësi me distributorët farmaceutikë dhe se është siguruar që vendi të mos mbetet pa furnizim me barna.
Sipas MSH-së, brenda listës përfshihen të gjitha barnat që kanë autorizim për marketing në AKPPM.