Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media bëri të ditur se edhe këtë vit Qeveria do të ndajë 100 euro shtesë për të gjithë fëmijët që marrin shtesat çdo muaj, dhe pensionmarrësit.
“Të dashur fëmijë të gjithë që jeni nga 0 deri në 16 vjeç dhe jeni pranues të shtesave për fëmijë, do të përfitoni edhe nga 100 euro secili. Kjo nuk është vetëm një dhuratë e fundvitit nga shteti juaj, por investim për mirëqenien tuaj”, tha Kurti.
Kurti bëri të ditur se në gusht prezantuan skemën e ridizajnuar të shtesave për fëmijë, ku një një familje që ka 3 fëmijë i bie të marrin 90 euro në muaj apo 1,080 euro në vit.
Kryeministri shtoi se 100 euro shtesë do të marrin edhe pensionmarrësit.
“Sikurse e kemi bërë traditë që sa herë që ka buxhet të mjaftueshëm, po ndajmë mbështetje shtesë në fund të viti nga 100 euro edhe për të gjithë pensionmarrësit”, tha Kurti.
Kurti shtoi se ndonëse sot është dita më e shkurt e vitit, pikërisht sot do të bëjmë zgjatjen e dorës së shtetit.
Ai tha se rritjen ekonomike e të hyrat buxhetore qeveria i ndan me të gjithë, e sidomos me ata që kanë nevojë të ndjenë dorën e shtetit.