Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka konstatuar se bazuar në analizën e situatës epidemiologjike në vend, ka një rritje të rasteve të COVID-19 në mostrat e testuara ditëve të fundit, me dominim të simptomave respiratore në mesin e të prekurve.
Sipas Instituti nga 14 deri më 19 gusht, 177 persona kanë rezultuar pozitiv, ndërkohë që dy kanë vdekur.
“Gjatë periudhës 14 -19 gusht 2024, në IKSHPK janë raportuar 400 testime të kryera për SARS COV-2, prej të cilave 177 raste kanë rezultuar pozitiv, ndërsa Klinika Infektive e QKUK-së ka raportuar për 2 të vdekur gjatë kësaj periudhe nga COVID-19.
IKSHPK rithekson se vaksinimi vazhdon të jetë masë efektive mbrojtëse, veçanërisht ndaj formave më të rënda të sëmundjes dhe, për shkak të zbehjes së imunitetit me kalimin e kohës, individët në rrezik më të lartë dhe sëmundje kronike, rekomandohet të vaksinohen:, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
IKSHPK-ja ka rekomanduar mbajtjen e higjienës, veçanërisht të duarve, shmangien e kontakteve me personat e infektuar, shmangien e tubimeve të mëdha dhe sidomos ato në ambiente të mbyllura.
Gjithashtu është kërkuar ngritja e vigjilencës nga ana e punëtorëve shëndetësore me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe parandalimit të infeksioneve.
IKSHPK-ja ka kërkuar të respektohet bartja e maskave dhe mjeteve tjera mbrojtëse si dhe reduktimi i vizitave të familjarëve në institucionet shëndetësore që merren me trajtimin e rasteve me COVID-19.
Rastet ambulantore dhe të hospitalizuara në SHSKUK, rekomandohet të analizohen nga ana e konziliumit të mjekëve.
Është rekomanduar që personat me simptoma të testohen dhe personat me imunitet të komprometuar të rivaksinohen.