E akuzoi publikisht për dhunë, 50 Cent padit ish-partneren.
Reperi i njohur 50 Cent ka ngritur një padi për shpifje kundër ish-partneres së tij, Daphne Joy, pasi ajo e akuzoi për përdhunim dhe dhunë.
Sipas padisë, të siguruar nga Page Six, reperi pretendon se modelja e ka akuzuar atë vetëm sepse ai kërkoi kujdestarinë e djalit të tyre 11-vjeçar.
Në padi, 50 Cent pretendon se akuzat e modeles kanë dëmtuar reputacionin e tij si këngëtar dhe ka pasur shumë komente urrejtjeje kundër tij në internet.
50 Cent ka bashkangjitur një letër që avokatët e tij i dërguan Joy 37-vjeçe, më 2 prill duke kërkuar që ajo të hiqte postin dhe të tërhiqte deklaratën. Avokatët e saj dyshohet se kërkuan në këmbim miliona euro. 50 Cent i quan kërkesat “qartësisht zhvatëse”.
Krijuesi i “Power” po kërkon më shumë se një milion euro dëmshpërblim dhe një urdhër gjykate që Joy të heqë postimin dhe të mos bëjë komente të tjera shpifëse për të.