Këngëtarja me famë botërore, me origjinë nga Kosova, Dua Lipa mahniti të pranishmit me dukjen e saj në gala mbrëmjen që u mbajt në muzeun e Akademisë së filmit në Los Engeles të SHBA-së.
Ajo për këtë mbrëmje kishte zgjedhur të veshë një fustan të zi me dantellë, i cili ishte tërësisht transparent, nga brendi Chanel. Ylli e kishte kombinuar fustanin me një palë të brendshme të zeza dhe e zbukuroi pamjen duke e shoqëruar fustanin me një palë stoli me diamante nga brendi Tiffany & Co.
Lipa i kishte treguar revistës prestigjioze “Variety” gjatë nëntorit se po përgatitë këngë të reja.
“Tani për tani jam në botën ‘Houdini’. Jam veç e entuziazmuar që kam nënshkruar kontrata për të lansuar këngë të reja. Intensiteti i reagimit të të gjithëve sinqerisht më ka gëzuar shumë. Është i mahnitshëm. Është reagimi më i mirë që kam marrë deri më tani, prej të gjitha gjërave që kam bërë. Jam shumë e lumtur dhe e përgatitur të nisë kapitullin e ri”, ka thënë Lipa.
Ylli nuk mund të fshihte emocionet për faktin se është nominuar për çmimin Grammy, me këngën “Dance The Night”, që është kolonë zanore e filmit më të njohur sivjet, “Barbie”.
"Është vërtet kaq emocionuese dhe një ëndërr të jesh pjesë e një filmi kaq të madh. Është e pabesueshme. Ndihem shumë me fat. Është thjesht kënaqësi të shohësh reagimin e njerëzve, gjithë energjinë pas filmit, kuptimin pas tij, solidaritetin mes grave. Ka qenë e bukur për t'u parë”, ka vazhduar artistja.