Klientët që do të marrin një nga Tesla Cybertrucks të parë këtë nëntor do të pengohen që ta rishesin atë gjatë vitit të parë, sipas termave dhe kushteve të Tesla.
Tesla shtoi një seksion të titulluar “Vetëm për Cybertruck” në Kushtet e porosisë së Automjeteve Motorike, i cili parashtronte rregullat e reja, shkruajnë mediat e huaj.
“Ju pranoni që nuk do të shisni ose nuk do të përpiqeni të shisni automjetin brenda vitit të parë pas datës së dorëzimit të automjetit tuaj”, citohet të jetë thënë aty.
“Tesla mund të kërkojë masa urgjente për të parandaluar transferimin e automjetit ose të kërkojë dëmshpërblim nga ju në shumën prej 50,000 dollarësh ose vlerën e marrë si kompensim për shitjen ose transferimin, cilado që të jetë më e madhe. Tesla gjithashtu mund të refuzojë t’ju shesë ndonjë nga automjetet e ardhshme”, shton ai.
Por nëse një klient ka një arsye të mirë për të shitur Cybertruck-in e tij, Tesla mund të pranojë ta blejë atë me çmimin origjinal minus “0,25$/për milje të kaluar dhe taksa të tjera”.
Dhe vetëm nëse Tesla nuk dëshiron ta blejë automjetin, atëherë mund të pranojë që klienti t’ia shesë atë dikujt tjetër.
I shpallur për herë të parë në vitin 2019, Cybertruck është produkti i parë i ri i Tesla-s në vite dhe pritet “të shkundë” tregun e kamionçinave elektrike.
Tesla fillimisht tha se çmimi i makinës do të fillonte nga 39,900 dollarë, por ka të ngjarë të jetë shumë më i shtrenjtë se kaq për shkak të materialeve të shtrenjta të ndërtimit.