Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Mbi 440 milionë është shuma e investimeve të huaja direkte që u bënë brenda shtatë muajve të këtij viti në Kosovë, por më shumë se gjysma e tyre janë në sektorin e patundshmërisë.
Në këtë ka kontribuar kryesisht diaspora, e cila investoi në ndërtimin e shtëpive dhe në blerjen e apartamenteve.
Por, sipas profesorit të ekonomisë, Nagip Skënderi, megjithëse ka rritje të investimeve, ato nuk japin rezultat në rritjen e standardit socio-ekonomik të popullatës.
“Ne ato investime që i kemi në patundshmëri nga emigracioni mund të themi se nuk japin efektin e dëshiruar ekonomik, pasi nuk gjallërojnë në kontekst të rritjes së punësimit dhe të një stabiliteti të dëshiruar ekonomik”, ka thënë Skënderi.
Situata politike, por edhe ngjarjet e fundit në veri, sipas tij, ndikojnë në trembjen e investitorëve seriozë.
“Është me rëndësi që të kemi një marrëveshje ashtu siç e dëshiron populli i Kosovës me Serbinë, të njihet pavarësia e Kosovës dhe pastaj besueshmëria e investitorëve të rritet, pasi asnjë investitor nuk e investon kapitalin e tij në një vend ku nuk ka pasiguri politike”, ka shtuar ai.
Edhe profesori tjetër universitar, Ujkan Bajra, ka thënë se politikat qeverisëse duhet të përqendrohen në krijimin e një mjedisi të favorshëm për bizneset dhe investime në infrastrukturë.
“Është e nevojshme një qasje e koordinuar në formulimin e politikave, e mbështetur nga një klimë politike dhe ekonomike e qëndrueshme, sidomos duke marrë parasysh se pjesa e Investimeve të Huaja Direkte (IHD) në Produktin Bruto Vendor (PBB) në Kosovë ka mbetur nën 5% për një periudhë të gjatë dhe është më e vogla në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Për fatin e keq, një klimë politike programore e ngjashme vazhdon të mbizotërojë edhe tani, ndaj edhe tërheqja e investimeve të huaja direkte mbetet dëshirë teorike e parealizuar”, ka deklaruar Bajra.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, Gjermania është shteti me më së shumti investime direkte, pasuar nga Zvicra. E në këto dy shtete jeton numri më i madh i qytetarëve nga Kosova.