Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në vend të medikamenteve mjekët në një eksperiment po "përshkruajnë" fruta dhe perime për pacientët me probleme të ndryshme shëndetësore duke u ofruar atyre edhe opsione të përballueshme për xhepin.
Dariush Mozaffarian, dekan dhe profesor në shkollën e Shkencave Nutriciste ka thënë se ushqimi është shumë i rëndësishëm për shëndetin njerëzor.
Sipas tij ushqimi është pjesë e jetës dhe kulturës.
Ai thotë se zbulimet e fundit shkencore kanë treguar se ushqimi i pashëndetshëm ndikon shumë keq në shëndetin e njerëzve. Kjo gjë e ka bërë atë përkrahës shumë të madh të misionit “ushqimi është ilaç”.
Mozaffarian thotë se para disa vjetësh nuk kishte prova të mjaftueshme se ushqimi është e keqja që po i bëhet njerëzimit dhe si pasojë, sipas tij, ka shumë sëmundje në botë.
“Me kalimin e kohës të ushqyerit shëndetshëm është bërë disi i papërballueshëm pasi që ushqimet e shëndetshme po kanë kosto të lartë”, thotë Mozaffarianai, duke shtuar se është diçka shumë e fuqishme.
Shëndeti i njerëzve me diabet, hipertension dhe mbipeshë u përmirësua kur pacientët mund të merrnin fruta dhe perime me një recetë nga mjekët e tyre dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë.
Shumë ofrues të kujdesit shëndetësor në SHBA kanë eksperimentuar me programet e fushatës “ushqimi është ilaç”, të cilat sigurojnë ushqim falas dhe të shëndetshëm për pacientët, në periudhë njëvjeçare ose më gjatë, shkruan ScienceAlert.
Kurt Hager, Instruktor i Epidemiologjisë në UMass Chan Medical School dhe Fang Fang Zhang, profesor i Epidemiologjisë në Universitetin Tufts kanë folur mbi eksperimentin që kanë provuar.
Sipas tyre kjo është analiza më e madhe deri më sot e programeve të prodhimit të recetave, të cilat janë një shumëllojshmëri e këtyre përpjekjeve.
Ata i lënë pacientët me sëmundje që lidhen më të ushqyerit, të konsumojnë mollë, brokoli, manaferra, tranguj dhe lloje të tjera frutash e perimesh falas.
Në Los Angeles, Boise, Houston, Minneapolis dhe vende të tjera ku u zbatuan programet, pjesëmarrësit zgjodhën frutat e perimet sipas zgjedhjes së tyre nëpër markete ku blinin me kartelën e lëshuar në kuadër të studimit.
Mjekët zbuluan se niveli i sheqerit në gjak, tensioni i gjakut dhe pesha e këtyre pacientëve u përmirësuan përgjatë studimit të tyre të ri, i cili u botua në Circulation: Cardiovascular Quality and Outcomes.
Sipas tyre “përmirësimet që kanë parë në rezultatet klinike mund të kenë një ndikim domethënës në shëndetin e përgjithshëm”. “Për shembull, tensioni sistolik i gjakut, ose tensioni i gjakut gjatë rrahjeve të zemrës, u zvogëlua me më shumë se 8 milimetra merkur, ose mm Hg, ndërsa tensioni diastolik i gjakut, ose tensioni i gjakut midis rrahjeve të zemrës, u zvogëlua me gati 5 mm Hg”, thonë ata.
Mjekët gjithashtu treguan se tash po i vlerësojnë pilot projektet e tjera 'ushqimi është ilaç'. Gjithashtu po bëjnë një provë të kontrolluar e të përshtatshme, në të cilën një grup pacientësh me kancer do të marrin ushqim falas në shtëpi dhe grupi tjetër do të marrë kujdesin standard./koha/