Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Mungesa e sistemit të ujitjes, ulë rendimentet në vend

Ekonomi  |  28.08.2023 Ora 8:27   

Mungesa e sistemit të ujitjes së tokave bujqësore, ndikon drejtpërdrejt edhe në uljen e rendimenteve. Në Kosovë, aktualisht, vetëm rreth 20 mijë hektarë janë nën sistemin e ujitjes. Bujqit theksojnë se Ministria e Bujqësisë, duhet ta ketë prioritet zgjerimin e sistemit edhe në komunat që nuk është i pranishëm ky sistem.

 

Një prodhimtari intensive bujqësore nuk mund të këtë efikasitet nëse nuk ka lagështi të mjaftueshme apo sistemin e ujitjes. Në shumicën e rasteve në Kosovë, bujqit kanë bërë zgjidhje në mënyrë vetanake, për të krijuar një sistem të ujitjes. Edhe bujku nga Peja, Milaim Shala, thotë për Radio Kosovën se ka investuar në sistem vetanak të ujitjes nga tre puset e hapura në fushën e tij.

“Ne kemi sistem vetanak. I kemi tre puse në thellësi deri në 12 metra. Ka kosto por nuk është edhe aq e lartë vetëm deri sa të shpërndash sistemin e ujitjes nëpër sera dhe fushë të hapur. Nëpër sera sistemi i ujitjes është pikë-pikë kurse në fushë të hapur e kemi me pipa”, tha ai.

Profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci, thekson se deri tani ka qenë një sipërfaqe e caktuar e sistemit të ujitjes por e pa përfunduar siç është sistemi Ibër –Lepenc. Rusinovci thotë për Radio Kosovën se vend ynë renditet i fundit për mos funksionalizim të sistemit të ujitjes.

“Pa sistem të ujitjes, një prodhimtari e qëndrueshme, stabile një rendiment i kënaqshëm për këtë ose atë kulturë, nuk mund të evidentohet dhe nuk mund të jetë prezent”, tha ai.

Edhe kryetari i Sindikatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, potencon se sistemi i ujitjes funksionon vetën 20 për qind dhe se ky sistem është i vjetruar.

“Është i stërvjetruar ky sistem, i keqpërdorur, i lënë mbrapa dhe ka ndërtime mbi rrjetin e këtyre hidrosistemeve dhe ndërtimet e kanë penguar funksionimin e këtyre sistemeve. Kosova ka nevojë për ujitje dhe ujitja nuk ka funksionon as 20 për qind”, u shpreh ai.

Sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë, numri i përgjithshëm i sipërfaqeve të ujitura në Kosovë gjatë vitit 2022, është gjithsej 18 mijë e 884.86 hektarë. Të dhënat për ujitje në çdo vit kërkohen nga të gjitha komunat e Kosovës, mirëpo në vitin 2022 kanë raportuar vetëm 28 komuna.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për negocimin e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për “Projektin për Përmirësimin dhe Rehabilitimin e Sistemeve të Ujitjes në vlerë 9 milionë euro./rtk/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Ekonomi

Marketing