Mënyra e të ngrënit, planifikimi, koha dhe frekuenca e vakteve janë elementë të pandashëm të një stili jetese të shëndetshme.
Një stil i tillë në vetvete e bën njeriun më pak të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës, diabeti apo ishemia.
Këtë e thotë një dokument shkencor i publikuar në revistën Circulation, një publikim i Shoqatës Amerikane Të Zemrës.
Sipas kësaj analize, koha dhe mënyra e të ngrënit ndikon në faktorët e rrezikut për sëmundjet e zemrës dhe ishemisë.
Si pasojë e stilit kaotik të jetesës, njerëzit nuk i përbahen rregullit të tre vakteve në ditë.
Ata përshtaten me aq vakte sa mund të përballojnë gjatë ditës.
Kjo do të thotë, se në vend të të ngrënit një drekë të shëndetshme, shumë njerëz mjaftohen me diçka të shpejtë.
Një ushqim i shpejtë nuk është domosdoshmërisht i shëndetshëm.
Marie Pierre St-Onge, eksperte e Mjekësisë Ushqimore në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork, shpjegon se oraret e ngrënies kanë efekt tek shëndeti.
Sipas saj ato ndikojnë tek ora e brendshme e trupit.
Për shembull, nëse njeriu ushqehet gjatë një faze jo aktive siç është gjumi, ora e brendshme ndërrohet duke ndryshuar metabolizmin e ushqyesve.
Në këtë mënyrë, njeriu mund të shtojë më shumë në peshë dhe të jetë i prekur nga inflamacioni.
Ngrënia e Mëngjesit Mund Të Parandalojë Sëmundjet Kronike
Mëngjesi është padyshim vakti më i rëndësishëm i ditës, por njerëzit sot nuk kanë shumë kohë për tu ulur në tavolinë e për të ngrënë siç duhet.
Studimet, të cilave i referohet AgroWeb.org kanë konfirmuar se heqja dorë nga mëngjesi rrit rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare e shumë të tjerave.
Përveç kësaj, këto sëmundje janë më të pranishme tek njerëzit që nuk janë të vëmendshëm ndaj orareve të të ngrënit.
Nëse njeriu i përmbahet orareve të ngrënies së mëngjesit, drekës dhe darkës, mundet të parandalojë mbipeshën, sëmundjet e zemrës dhe diabetin.
Më Shumë Vëmendje Ndaj Ushqyerjes
Studimet, tek të cilat bazohet AgroWeb.org thonë se njeriu duhet të jetë i vëmendshëm ndaj planifikimit të vakteve dhe përzgjedhjes ushqimore.
Në këtë mënyrë, njeriu mund të shmangë ushqyerjen e nxitur nga emocionet.
Këto të fundit nxisin shumë episode të pakëndshme të ngrënies së tepërt, pavarësisht mungesës së urisë.
Një gjë e tillë rrit numrin e kalorive të marra.
Nga ana tjetër ul sasinë e ushqyesve të domosdoshëm për mbarëvajtjen e organizmit./AgroWeb.org