Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Edhe përkundër faktit, se viteve të fundit është rritur numri i grave të cilat janë të përfshira në biznes, ato vazhdojnë të përballen më sfida të shumta.
Disa prej tyre i thanë Radio Kosovës se përkrahjen më të madhe ato e kanë nga organizatat e ndryshme dhe shumë pak nga institucionet përgjegjëse.
Marrja e informacionit me kohë, qasja në financa, janë ndër sfidat të cilat gratë i hasin gjatë drejtimit dhe marrjes me biznes në vend. Selvete Krasniqi dhe Valbona Sopa, të cilat kanë filluar agrobiznesin e tyre që disa vite, i thanë Radio Kosovës së deri më tani atyre u ka munguar përkrahja institucionale, kurse ndihmën e vetme që kanë pasur, ka qenë vetëm nga organizatat e ndryshme.
“ Sivjet kam filluar me serë, e kam përfituar prej organizatës “ ECO”. Jam shumë e kënaqur tash më biznesin që kam filluar”, ka thënë Krasniqi.
“Që 20 vite merrem me bujqësi. Çdo kush ka sfida, por duhet të mundohemi për të mos u dorëzuar. Organizatat e ndryshme po na ndihmojnë. Në Ministrinë e Bujqësisë pata aplikuar, po jo, nuk më kanë përkrahur. Jam ndihmuar prej organizatave, por edhe nga Komuna e Lipjanit prej nga vij”, ka thënë Sopa
Se të bërit biznes nga gratë nuk është e lehtë, e thonë edhe Ardita Kastrati dhe Hafije Gashi.
“Jam e angazhuar shumë në profesionin tim. E kam biznesin e hapur. Mirëpo, kemi ecur pak po jo sa duhet. Por, falë Zotit kam vullnet dhe punoj, e nuk pres nga institucionet asgjë. Sivjet kam qenë përfituese e një granti nga Ministria e Bujqësisë, por deri këtu kam ardhur vetë, por edhe kjo më ka ndihmuar. Grantin e kam fituar për pajisjet e punës që duhen për nxjerrjen e mjaltit, të cilat më kanë munguar”, ka thënë Kastrati.
“Merrem prej tre apo katër vitesh me punëdore. Jo, nuk kam marrë asnjëherë grante nga institucionet shtetërore”, ka thënë Gashi
Për sfidat me të cilat përballen gratë në biznes e thotë në një përgjigje për Radio Kosovën Nita Ferizi Sadiku, menaxherja e projekteve në organizatën “EcoKosWomen”, organizatë kjo që ndihmon gratë me grante të ndryshme. Sipas Sadikut, njëra ndër sfidat, të cilat përballën gratë që janë të këqyra drejtpërdrejt në bizneset e bujqësisë, është mungesa e informacioneve të duhura me kohë për mbështetjet e ndryshme që ofrohen dhe qasja në financa, pasi shumica e granteve jepen me bashkëfinancim.
“Gratë që bëjnë biznes në Kosovë, sidomos ato në bujqësi përballën më sfida të shumta. Fillimisht kanë qasje të limituar në informata. Faktikisht deri sa mbërrin të informohesh për format e ndryshme të mbështetjes që ofrohen për këto gra, shpesh për shkak të afateve që kalojnë bëhet vonë dhe pastaj nuk mund të përfitojnë nga ato mundësi që ofrohen. Për sa i përket qasjes në financa, shumica e rasteve, projektet po shkojnë më bashkëfinancim pasi gratë ose nuk janë të punësuara, ose nuk kanë pronë në emër të tyre. Dhe, çdo herë bashkëfinancimi mund të bëjë që gratë të heqin dorë nga aplikimi”, ka deklaruar Ferizi.
Për t’u dalë në ndihmë atyre, shpesh ndërmerren iniciativa të ndryshme, qoftë nga institucionet shtetërore apo organizatat vendore dhe ndërkombëtare, të cilat përpiqen t’i inkurajojnë dhe mbështesin në synimet e tyre për të nisur një biznes.
Por, pavarësisht mbështetjes, ende ekziston një dallim i madh në mes numrit të bizneseve që drejtohen nga burrat dhe atyre që drejtohen nga gratë në Kosovë./rtk/