Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në Kosovë shitet lehtësisht e pa recetë e madje për qëllime përtej atyre për çka është i miratuar zyrtarisht. E në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ankohen se ky ilaç po shkakton paralizë të stomakut te pacientët që e kanë konsumuar ilaçin, “Ozempic”, i cili është i miratuar për trajtim të diabetit të tipit 2, por që në Kosovë përdoret e shitet edhe për ta mundësuar humbjen në peshë.
Në një raportim të martën, mediumi prestigjioz CNN ka shkruar për ankesat e amerikanëve që kanë përdorur ilaçin për të njëjtin qëllim. Joanie Knight është një 37-vjeçare nga Louisiana. Ajo është ankuar se ky ilaç ia ka shkatërruar jetën. Ka thënë se do të donte të mos kishte dëgjuar kurrë për të. Brenda Allen, një 42-vjeçare nga Dallasi, ka folur njëjtë për ilaçin “Wegovy” që është simotër e Ozempicut. “Madje edhe tash, një vit që kur kam hequr dorë nga ky medikament, po kam shumë probleme”, ka thënë ajo, teksa ka bërë të ditur se ka pasur nevojë për trajtim emergjent për shkak të vjeljeve të shumta. Emily Wright nga Toronto kishte nisur me “Ozempicun” më 2018. Për një vit ajo ka thënë se ka humbur rreth 35 kilogramë. Por tani ajo përjeton të vjella aq shpesh sa i është dashur të marrë pushim në punë. “Jam një vit pa Ozempic, por ende nuk jam kthyer në normalitet”, ka thënë Wright.
Ilaçi për diabet, “Ozempic” dhe “Wegovy” përdorin ‘semaglutidinë’ dhe funksionojnë duke imituar një hormon që prodhohet natyrshëm nga trupi e që për rol ka ngadalësimin e kalimit të ushqimit përmes stomakut, duke bërë që njerëzit të ndihen më të ngopur për më gjatë. Por nëse stomaku ngadalëson shumë për shumë gjatë, mund të shkaktojë telashe.
Knight dhe Wright janë diagnostikuar me gastroparezë të rëndë, ose paralizë stomaku, për të cilën mjekët mendojnë se mund të ketë ardhur ose përkeqësuar si rezultat i medikamentit që e kanë marrë. Wright është ankuar edhe për diagnostikim me sindromën e të vjellave ciklike, që i shkakton vjellje disa herë në ditë.
Allen nuk është diagnostikuar për problemet e saj, por ka thënë se ato nisën pak pasi u inkurajua të merrte “Wegovyn” për të humbur peshë. Ajo po menaxhon të vjellat e saj me ilaçe të tjera.
Mjekët thonë se shumë më shumë raste të tilla po dalin në pah. Administrata e Barnave dhe Ushqimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pranuar se ka marrë raportime nga njerëzit që kanë përjetuar paralizë të stomakut.
Muajin e shkuar, Shoqata Amerikane e Anesteziologëve ka paralajmëruar pacientët të ndalin këto medikamente një javë para ndërhyrjeve kirurgjike sepse mund të rrisin rrezikun që të kthejnë ushqimin prapa, e që nganjëherë mund të bëjë që ushqimi apo acidi i stomakut të futet në mushkëri, gjë që mund të shkaktojë probleme të tjera pas operimit.
Raste të tilla kanë qenë tejet të rralla deri tash. Doktorët thonë se njerëzit mund të kenë probleme të fshehta të tilla e të mos kenë ditur për to.
Në një përgjigje për CNN-in, prodhuesi i këtyre ilaçeve, “Novo Nordisk” ka theksuar se ilaçi është përdorur qe 15 vjet për trajtimin e diabetit dhe për tetë vjet për të trajtuar obezitetin dhe se janë studiuar gjerësisht në botën reale dhe prova klinike.
“Ngjarjet gastrointestinale (GI) janë efekte anësore të njohura të klasës GLP-1. Për semaglutidë, shumica e efekteve anësore janë të lehta deri në mesatare dhe me kohëzgjatje të shkurtër. Dihet se GLP-1 shkaktojnë vonesë në zbrazjen e stomakut, siç vërehet në etiketën e secilit prej medikamenteve tona. Simptomat e zbrazjes së vonuar, të përzierat dhe të vjellat renditen si efekte anësore”, thuhet në përgjigje.
Gastropareza mund të ketë disa shkaktarë, përfshirë diabetin. Gratë janë më të rrezikuara. Për më shumë se gjysmën e rasteve, doktorët nuk mund të gjejnë shkaktarin.
Gastroenterologu në Klinikën “Mayo”, Michael Camileri i ka quajtur këto raste “shumë të pafata”.
Ai ka emër në SHBA në studimin e funksionimit të stomakut. Në njërin nga studimet, ka konkluduar se pas marrjes së liraglutidës sa më e ngadalshme të jetë procedura e largimit të ushqimit nga stomaku, aq më shumë njerëzit ndiheshin se po humbnin peshë.
Në testimet klinike, gati gjysma e njerëzve që u përfshinë, 44 për qind, që morën “Wegovyn” raportuan të përziera dhe gati një në katër raportoi për vjellje: të dyja janë simptoma të zakonshme të gastroparezës. Në testimin e “Ozempicut”, që është i njëjti por jepet në dozë më të vogël, një në pesë njerëz raportuan për të përziera e një në dhjetë për vjellje.
Diabeti mund të shkaktojë po ashtu gastroparezë, por kjo ndodh kryesisht kur njerëzit e kanë sëmundjen për të paktën një dekadë dhe që kanë sheqerna që kanë dëmtuar nervat që kontrollojnë stomakun. Si në rastin e Knightit, edhe te Wrighti, doktorët kanë përjashtuar mundësinë e diabetit si shkaktar i gastroparezës.
Rregullatorët e barnave kanë thënë se kanë pranuar raportime të paralizës së stomakut te pacientët që kanë përdorur ilaçe të tilla. Autoriteti kryesor ka thënë se nuk e ka të përcaktuar se medikamentet janë shkaktare të gastroparezës. Në një përgjigje për CNN-in, FDA-ja e pyetur nëse njerëzit duhet të jenë të shqetësuar për to, ka thënë se përfitimet nga medikamentet tejkalojnë rreziqet./koha/