Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Marsela Çibukaj në Prishtinë hap valixhen e rrugëtimit artistik

Vendi  |  25.07.2023 Ora 10:27   
 

Një rrugëtim në kohë, gjeografi e nëpër zhanre të ndryshme muzikore ka qenë koncerti i Marsela Çibukajt, e ftuara e natës së tretë të Festivalit të Gastronomisë në Prishtinë. Çibukaj, e cila një koncert të tillë po e mbante për herë të parë në Prishtinë, u dëshmua si artiste e kalibrit të lartë. Zëri i saj është krejt i veçantë, ndërsa mënyra se si këndon këngët shpërfaq profesionalizmin e matur artistik. Në notat e ulëta ka bukurinë e një zëri si të ngjirur, e me lehtësi kapërcen te notat e larta e të mprehta.

Ka qenë ora 21 e 30 kur në skenë nisi të dëgjohej kënga ikonike “I set fire to the rain” e këngëtares së njohur britanike Adele. Meqenëse Çibukaj e ka nisur këndimin qysh mbrapa skenës, për të pranishmit nuk ishte e qartë nëse ky zë po vinte nga radio, apo nga këngëtarja. Saktësia dhe afërsia me origjinalin ishte jashtëzakonisht e madhe. Se i kujt ishte zëri u kuptua vetëm kur në skenë u duk Marsela. Me një fustan të zi mbi të cilin kishte vendosur një mantel të bardhë me ca rrathë kuqezi, Çibukaj ka reflektuar tërë madhështinë e një artisteje. E tillë ishte edhe kënga me të cilën e kishte nisur koncertin. Plot ritëm, muzikalitet e fuqi vokale.

“Jam shumë e lumtur të jem sonte këtu mes jush. Kisha bërë në fakt goxha kohë që nuk vija në Prishtinën e dashur për mua. Jam shumë e lumtur që jam së bashku me muzikantët. Nëpërmjet muzikës kam shumë dëshirë të bëjmë një udhëtim, i cili është pak a shumë edhe udhëtimi im në karrierë, në formimin tim si artiste, por edhe si njeri. Para shumë, shumë vjetësh nisi edhe historia, në bregun e detit të Vlorës, si shumë shqiptarë të tjerë u larguam drejt brigjeve dhe kështu nisi gjithçka me një këngë të titulluar ‘Jon’”, ishin fjalët e para të Çibukajt drejtuar adhuruesve të saj në Prishtinë.

E pas “Jon”, Çibukaj kapërceu detin dhe çoi publikun e Festivalit të Gastronomisë në Itali, atje ku Çibukaj kishte shkuar si nëntëvjeçare dhe ku kishte studiuar për muzikë. Ndonëse disa nga këngët që ajo këndoi në italisht ishin të panjohura për publikun në Kosovë, ritmi i tyre i shpejtë bëri që kjo të mos ishte problem që publiku të kënaqej. Por kur radha i erdhi këngëve si “Tu Vuo’ Fa’ L’Americano” , “Ciao bella” e “Volare” përveç me kërcim, publiku iu bashkua solistes edhe në këndim. Nuk ishte vetëm fakti se këngët ishin disa nga perlat e muzikës botërore, atmosferën e bënte vetë këngëtarja. Ka aftësinë që secilës këngë t’ia ngjeshë dromcat e veçanta të zërit të saj, që duket sikur ia shtojnë edhe më bukurinë.

E pas Italisë, Çibukaj e mori publikun në një udhëtim edhe më të gjatë. E udhëhoqi nëpër “Rithmn and blues” dhe disa nga perlat e këngëtarëve amerikanë të zhanrit.

“Hapat e mia të para në muzikë i kam nisur me një zhanër të cilin e kam shumë për zemër. Është muzika blues. Profesorët vunë re se kisha një notë melankonike në zërin tim dhe ky zëri im pak kadife e më thanë që ti je fiks për blues”, tregoi ajo para publikut teksa këndoi këngë si: “Hit the Roll Jack”, “I feel good” e të tjera. Por përveç muzikës së huaj, një pjesë të koncertit Çibukaj ia kushtoi muzikës shqipe. Këndoi këngën e famshme “Ja ku jam” të Ardit Gjebreas e më pas nga dy këngë ua kushtoi edhe dy ikonave të muzikës shqipe: Vaçe Zelës dhe Nexhmije Pagarushës. Përveç këngëve të këngëtarëve të tjerë, Çibukaj këndoi diçka edhe nga këngët e veta. Ishte “I paftuar” me të cilën kishte fituar “Këngën Magjike” në vitin 2022 dhe “S’muj”. E këngën e cila e bëri më së shumti të njohur, “Ca thërrime dashurie” e la krejt për fund. Megjithatë, në kontrast me titullin, publiku i dha Marselës shumë dashuri. Në mes të brohoritjes të cilat shpërthyen kur u dëgjua tingulli i parë i këngës, publiku e shijoi e këndoi bashkë me Marselën deri në notën e fundit kur edhe e përshëndeti me duartrokitje të pafundme.

Duke vlerësuar mikpritjen që ia bëri publiku, Çibukaj ka përmendur edhe sfidat që ka përzgjedhja e repertorit. Ka thënë se përzgjedhja e tij ka qenë reflektim i rrugëtimit të saj drejt formimit artistik.

“Sfiduese është paksa sepse unë mora paksa edhe nga ajo që është valixhja ime e jetës duke përfshirë këtu edhe rrugëtimin tim si artiste, si njeri, nëpërmjet vendeve ku kam jetuar e udhëtuar dhe nga të cilët kam marrë një pjesë të repertorit që më formon sot si këngëtare. Për mua ishte risi ta sillja në Kosovë. Shqipëria ka afirmitet me Italinë, Kosova pak më pak, por ishte bukur që kënduan me mua në shumicën e repertorit”, ka thënë ajo.

E, nuk do të duhet edhe shumë kohë që publiku të dëgjojë këngë të reja nga Çibukaj. Ndonëse nuk ka dhënë shumë detaje, ka bërë të ditur se është duke punuar për një album të ri.

“Jam duke punuar mbi këngët e albumit. Së shpejti shpresoj t’i sjell dhe t’i prezantoj edhe te publiku i Kosovës. Do të jetë e shoqëruar me koncertal, me videoklipe gjithashtu. Jam në atë fazë të jetës sime ku jam shumë krijuese dhe në të njëjtën kohë po bashkëpunoj me kompozitorë shumë të mirë. Nuk mund t’ju them shumë detaje po do të jenë edhe nga Kosova, por do të jenë emra me peshë edhe nga Kosova edhe nga Shqipëria”, ka thënë ajo.

Agnesa Qorri, zyrtare për komunikim me publikun, ka thënë se festivali u takon të gjitha moshave. E dëshmi e kësaj ishin edhe artistët e ndryshëm, të ftuar në tetë netët e Festivalit.

“Festivali ynë njihet si festival familjar, festival i tri gjeneratave. Në Festivalin e Gastronomisë mund të vini me familje, me shoqëri, pra i takon të gjitha moshave dhe edhe kolazhi i muzikantëve dhe këngëtarëve që kemi përzgjedhur, prek shumë fusha të muzikës dhe nuk kemi targetuar vetëm një moshë. Grupmosha të ndryshme vijnë në ditë të ndryshme. Kemi edhe net të rockut dhe kryesisht targetojnë një moshë tjetër”, ka thënë ajo.

Tashmë janë bërë tre vjet prej kur ka nisur Festivali i Gastronomisë. Nisur nga numri i të interesuarve, Qorri është shprehur optimiste sa i përket edhe shifrave të këtij viti.

“Festivali i Gastronomisë është më shumë në kujtesë që nga vitit i kaluar. Pra, ata që vitin e kaluar veçse e kanë parë atmosferën që ka qenë këtu. Te tjerët kanë arritur ta shohin në rrjetet tona sociale, në media dhe kemi interesim nga vizitorë të rinj. Besoj që do të thyejmë edhe rekordin e vitit të kaluar ku kemi pasur 18 mijë vizitorë”, ka thënë ajo./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing