Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Moti jo i mirë që ka mbajtur javë më parë ka ndikuar që shumë fermerë në kryeqytet të mos arrijnë të kenë rendimente. Ata janë në pritje të ndihmës nga komuna, derisa nga kjo e fundit kanë njoftuar se deri më tani kanë pranuar 146 kërkesa për kompensim.
Ali Brestovci nga Barileva thotë se nga korrja e grurit, që e bëri para disa ditëve, nuk mundi të nxjerrë asgjë, pasi, siç tha ai, vërshimet ia dëmtuan këto të mbjella. Ai pret ndihmën e organeve komunale.
“Mua, personalisht, do grurë e kam pasur edhe atë ma ka dëmtuar krejt. Kombajna kur ka hyrë, veç ka qitë pluhur, se tjetër gjë s’kemi parë prej tyre”, tha bujku Ali Brestovci, derisa shtoi se për kompensimin nga komuna po e pret përgjigjen.
Ndihmën e komunës për kompensim po e presin edhe bujqit nga Mramori i Prishtinës. Ata thanë se atyre reshjet ua dëmtuan mjedrat.
“Mjedrat i ka dëmtuar prej rrënjëve përpjetë e përgjysmë edhe prej së larti i ka këputur”, tha Ardian Gashi, bujk. Ndërsa bujku tjetër, Selim Gashi tha se komuna i ka premtuar për mbështetje, derisa shtoi se ata mund të vijnë të verifikojnë gjendjen në terren.
Nga komuna e Prishtinës thanë se deri tani kanë pranuar 146 kërkesa për kompensim.
“Deri më tani janë përfunduar rreth 90% të rasteve, apo 136 raste, që janë paraqitur janë vizituar dhe është bërë vlerësimi. Presim që brenda kësaj jave, në fillim të javës së ardhshme, vizita në të gjitha rastet që janë bërë deri tani, ku do të procedojmë me përpilimin e raportit, sa i përket dëmeve në përgjithësi”, deklaroi Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës.
Fushtica tha se nëse komuna nuk ka mundësi t`i kompensojë këto dëme, do të kërkojë ndihmën e nivelit qendror./rtk/