Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ligji për sigurime shëndetësore, edhe pse premtim i të gjitha qeverive, deri tani nuk ka gjetur zbatim.
Qytetarët ankohen për shpenzime të mëdha të parave për shërbime shëndetësore, derisa asnjë prej tyre nuk iu kompensohet.
Për shkak të mungesës së sigurimit shëndetësor, që do t’ia mundësonte trajtimin edhe në klinika private, një qytetare i tha RTK-së se detyrohet të presë deri nesër edhe pse është me dhimbje.
E qytetarë të tjerë thonë se janë në pritje të aplikimit të sigurimeve shëndetësore.
“Më pas sigurim shëndetësor, çdo punëtor do t’i realizonte të drejtat e veta elementare, p.sh kontrollet te mjeku pa para , dhe marrjen e ilaçeve, por kjo është punë e qeverisë, nuk është punë e jona. Por kurdo që realizohet do të ishte mirë në interesin e punëtorëve dhe në interesin tonë të gjerë”, tha Sabit Fetahu, qytetar.
Mungesa e sigurimit shëndetësor në Kosovë për tash e sa vite, po rëndon edhe listën e pritjeve në institucionet shëndetësore publike.
Ndërkaq, Përparim Berisha nga Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së, tha se përpos mungesës së sigurimit shëndetësor për stafin mjekësor, ndiejnë keqardhje edhe për pacientët, pasi në disa raste nuk kanë mundësi t'i paguajnë barnat ose trajtimet jashtë shërbimit spitalor.
“Kemi kontaktuar vazhdimisht, e kemi cekur si pikë e domosdoshme dhe kyçe për shkak se edhe do të liroheshim nga shumë përgjegjësi si për shembull te shkrimi i barnave që duhet pacientëve në rastet kur mungojnë ato ose pagesat që detyrohen t'i bëjnë pacientët, por kemi hasur në vesh të shurdhër përkundër që probleme shëndetësia ka shumë, kanë fillua prej pasluftës dhe po barten nëpër vite, siç është edhe sigurimi shëndetësor", tha Përparim Berisha, Kryetar i Sindikatës të Punëtorëve Shëndetësorë, QKUK.
Ligji për Sigurimet Shëndetësore është miratuar tash e një dekadë, por në mungesë të kapaciteteve, zbatimi i tij ka ngecur deri tani./rtk/