Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Elvir Azizi, të martën raportoi në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, për herë të parë që kur mori këtë detyrë dy javë më parë.
E dy javë tha se i kanë mjaftuar t’i identifikojë telashet, si furnizimin me barna, listat e gjata të pritjes e mungesën e rregulloreve të punës.
“Kam vërejtur që njëra prej sfidave më të mëdha është vetë funksionimi i SHSKUK-së dhe QKUK-së së bashku, pra drejtori i përgjithshëm njëkohësisht është menaxher edhe i SHSKUK-së dhe i QKUK-së. Sfidat e tjera janë edhe furnizimi i rregullt me barna dhe materiale shpenzuese, mungon dokumentacioni i brendshëm, nuk ka përshkrim të detyrave të punës, nuk ka protokolle klinike, ka mungesë të gjithmbarshme të një baze të mirë për sistem të cilësisë. Infrastruktura është vjetruar dhe jemi shumë vonë me digjitalizimin”, ka thënë Azizi.
Deputetët shprehën vërejtje për parregullsi të shumta në QKUK e spitale rajonale.
Haxhi Avdyli nga Vetëvendosje kërkoi që të bëhet ridizajnimi i nevojave të ShSKUK-së, e ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, uroi që drejtori i ri të mos jetë i lidhur me pushtetin.
Para deputetëve të Komisionit për Shëndetësi raportuan edhe anëtarët e Bordit të ShSKUK-së, në krye me kryesuesin Naim Bardiqi. Tha se nga klinikat janë kërkuar të gjitha listat e pritjes.
“Në funksion të kësaj kemi identifikuar se listat e pritjes janë për pasojë e mosracionalizimit të stafit. Mirëpo në këtë drejtim është keqpërdorimi eventual në mungesë të mekanizmave të monitorimit të periudhës kohore të mosprezencës në punë, një mungesë e furnizimit me barna, ose mosmirëmbajtje e mirë e pajisjeve”, ka thënë Bardiqi.
Brenda një periudhe të shkurtër, ShSKUK-ja ka ndërruar tre drejtorë të përgjithshëm./koha/