Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Maturantët të cilët synojnë të regjistrohen në programin “Antropologji Kulturore dhe Trashëgimi” në Fakultetin Filozofik, nuk do të mund të aplikojnë në konkursin që pritet të hapet të martën nga Universiteti i Prishtinës.
Këshilli Shtetëror i Cilësisë nuk ka arritur me kohë ta kryejë procesin e akreditimit, për shkak të mungesës së kuorumit.
Dekani në Fakultetin Filozofik, Dashamir Bërxulli, ka thënë se këto vonesa shkaktojnë paqartësi te maturantët që i synojnë këto programe.
“Ne ndajmë mendimin që këto çështje do të duhet të zgjidheshin më herët duke pasur parasysh presionin në të cilën gjenden institucionet e arsimit të lartë, veçanërisht ato publike në rastin e konkursin në afatin e parë, në çdo korrik që është. Në këtë pikëpamje mendoj që po të ishte zgjidhur në kohën e duhur mendoj që do të ishim në një pozicion më komod dhe do t'u jepnim zgjedhje studentëve për të zgjedhur ato programe ku duhet të jenë”, ka theksuar ai.
Njëjtë si ky drejtim, presin për akreditim edhe 44 programe të tjera studimore në të gjitha institucionet e arsimit të lartë.
Vonesat janë shkaktuar, pasi konkursi i shpallur nga Ministria e Arsimit për nominimin e anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë u anulua, meqë u vlerësua se është hartuar në kundërshtim me legjislacionin.
Si zgjidhje për situatën, gjatë ditës së hënë, deputetët në Kuvend miratuan zgjedhjen e profesorit finlandez si anëtar të KSHC-së, përmes një seance të jashtëzakonshme.
Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Eliza Hoxha, përgjegjëse e mban ministren Arbëri Nagavci për vonesat në procesin e akreditimit.
“Një proces konkursi është i hartuar në kundërshtim me udhëzimin administrativ, kanë kaluar pesë muaj për të kuptuar ministrja dhe stafi i saj se kanë hartuar gabim konkursin... Do të thotë konkursi është anuluar se nuk është plotësuar dëshira e ministres që dikush të tërhiqet nga lista me vullnetin e saj apo të tij”, ka theksuar Hoxha.
Edhe në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, kanë kërkuar përgjegjësi për situatën e krijuar në institucionet e arsimit të lartë.
“Nuk ka pasur nevojë për këso zgjatje të këtij procesi, në fakt kjo zgjatje ka ndodhur për shkak të një dështimi që ka ndodhur brenda Ministrisë së Arsimit, në momentin kur është hartuar konkursi. Edhe atëherë edhe tash kemi thënë se dikush duhet të mbahet përgjegjës”, ka deklaruar Hoxha.
Për shkak të vonesës në procesin e akreditimit, Universiteti i Prishtinës planifikon që të hapë një konkurs të dytë në mesin e këtij muaji, pasi të akreditohen programet e mbetura./koha/