Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Rama flet për ndërmarrjet: Shkarkimet janë të përkohshme

Vendi  |  26.06.2023 Ora 10:02   

Ka dy javë që në Kuvendin Komunal të Prishtinës janë shkarkuar aksionarët e vjetër të ndërmarrjeve publike e janë emëruar aksionarë të rinj, të cilët janë kryesisht partitë opozitare. Mirëpo, aksionarët e rinj ende nuk i kanë marrë postet zyrtare.

E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, këto shkarkime dhe emërime i quan të përkohshme duke deklaruar që pavarësisht kësaj, kryeshefat e vjetër do të vazhdojnë punën e tyre.

“Shkarkimet kanë qenë momentale, faktikisht ndërmarrjet vazhdojnë punën edhe pse aksionarët janë shkarkuar. Bordi është funksional aty janë shefat aty që vazhdojnë punën dhe po them që këto shkarkime janë të përkohshme. Kjo do të zgjidhet në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse i kemi ekipet profesionale dhe nuk ka pasur asnjë arsye që ato shkarkime të ndodhin, ajo ka qenë një lëvizje jo e koordinuar mirë. Kryeshefat do të vazhdojnë punën e tyre, në të mirë të kryeqytetit”, tha Rama.

E Gëzim Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje akuzon Ramën që po e zvarrit me qëllim procesin, në mënyrë që të fitojë kohë dhe t’u ofrojë benefite asamblistëve nga opozita që të kalojnë në anën e tyre.

“Nga seanca e kaluar e që kishte dy pika të rendit të ditës: shkarkimin dhe emërimin e aksionarëve të ndërmarrjeve publike komunale. Procedura e sheh që ministria e linjës ta japë dritën e saj që gjithçka është në përputhje me ligjin. Kryetari Rama e ka bllokuar këtë proces duke u munduar që të përfitojë kohë për të përfunduar disa pazare që i kanë në ndërmarrjet publike komunale. Mua më kanë ardhur informacione që tani kanë filluar që të ngritin njerëz të pozita. Janë vazhdimisht duke kontaktuar asamblistë tanë, duke iu ofruar lloj lloj benefite që të kalojnë në anën e tyre. Mirëpo kjo është e pamundur dhe kështu do të vazhdojë që të jetë, sepse ne jemi shumë të vendosur që ta dërgojmë deri në fund këtë proces ”, tha Gëzim Sveçla.

Berna Saraçi nga LVV-ja kishte vendosur që gjatë ditës së mërkurë t’i bashkohet PDK-së.

Këtij lajmi si duket, iu gëzua nënkryetarja e Prishtinës nga PDK-ja Donjeta Sahatçiu.

“Ardhsh si vera Berna. Prej sot, ekipi i PDK-së në Prishtinë përfaqësohet edhe me një super grua në Kuvendin Komunal. Berna Saraçi do të vazhdojë të shërbejë si këshilltare komunale për të nxitur punë edhe më të mirë në Kryeqytet. Ndihem jashtëzakonisht e plotësuar kur si ekip shohim se si vizioni ‘Prishtina na bashkon’ po jetësohet natyrshëm e me vullnet çdo ditë e më shumë. Prishtina na bëri bashkë në qeverisje fillimisht për projekte konkrete në arsim, shërbime publike, zhvillim rural, kulturë e sport, por që më pas u zgjerua në një frymë që veçse po lulëzon. Bashkë, pa fjalë shumë, me punë e përkushtim të sinqertë - ashtu sikurse edhe e kishim dëshiruar nga fillimi. Prishtinë, faleminderit që na bashkove!”, ka shkruar në Facebook, nënkryetarja e Prishtinës nga PDK-ja, Donjeta Sahatçiu.

Më 8 qershor opozita kishte thirrur seancë të jashtëzakonshme me dy pika të rendit të ditës, për shkarkimin dhe emërimin e aksionarëve të ndërmarrjeve publike komunale.

Me 25 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, aksionarë të rinj në bordin e “Termokosit” janë zgjedhur Nora Kelmendi, Gëzim Mehmeti e Sami Borovci, në ndërmarrjen “Pastrimi” janë zgjedhur Femi Osmani dhe Petrit Reçica. Triera Kosumi dhe Gëzim Sveçla janë zgjedhur aksionarë në ndërmarrjen “Trafiku Urban” e në atë “Prishtina Parking”, Fatmir Kelmendi e Besnik Haziri. Ndërkaq Kushtrim Mushica e Endrit Gashi janë caktuar aksionarë të “Pallatit të Rinisë”, përderisa Teutë Gjinolli dhe Arbnora Berisha në “Kuzhina Qendrore” e Arianit Beqiri në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB).

Për momentin, pushteti ka kthyer shumicën në Kuvend me 26 këshilltarë, kundrejt 25 të opozitës./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing