Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Zëdhënësja e kompanisë rajonale të ujësjellësit, “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka vlerësuar se është shumë e pazakontë që mes të muajit qershor të ketë kuotë maksimale të kapërderdhjes në liqenin e Batllavës dhe Badocit.
Mjeku ka bërë të ditur se nivelet e ujit në Batllavë dhe Badoc janë mjaft mirë.
“Nivelet e ujit në liqenet akumuluese sipërfaqësore të Batllavës dhe Badocit janë mjaft mirë. Batllavën e kemi në kuotën maksimale të kapërderdhjes. Kjo është sidomos për konsumatorët që furnizohen nga ky liqen. Në Badoc, në një pellg më të vogël dhe që mbushja është më e vështirë, kemi vetëm 50 cm për të arritur kuotën maksimale e cila pritet të arrihet të premten ose të shtunën. Ne kemi pas kuotë maksimale edhe më herët, por është e pazakontë që ta kemi në mesin e muajit qershor”, ka thënë ajo në “SOT” të KTV-së.
Zëdhënësja e KRU “Prishtina” ka thënë se do të jetë verë e mirë sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm nëse nuk do të keqpërdoret.
“Kjo do të thotë që do të jetë verë më e mirë sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm nëse uji nuk keqpërdoret siç ndodh rëndom. Ujin duhet ta shfrytëzojmë në mënyrë racionale, për higjienë dhe nevoja shtëpiake dhe jo për gjëra të tjera të panevojshme”, ka thënë ajo.
Mjeku ka paralajmëruar se do të shkyçen nga uji tre kategori.
“Ata që kanë borxhe, investitorët e rinj që merren me ndërtime që ende nuk i kanë sjell listat e konsumatorëve që të vijnë te ne të regjistrohen si të rregullt dhe kyçjet ilegale. Nuk do të jemi më kaq tolerantë”, ka thënë ajo.
Çdo konsumator që ka mbi 100 euro borxh, shkon te përmbaruesi, sipas Mjekut./koha/