Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Kequshqyerja e zhvillime të pakta të aktiviteteve fizike janë vlerësuar si shkaktarët që të rritet mbipesha te nxënësit në shkollat e Komunës së Prishtinës.
Nga kontrollet sistematike mjekësore sivjet ka rezultuar se ka rritje të mbipeshës te nxënësit për 9 për qind, e kjo është vlerësuar shqetësuese nga Drejtoria e Shëndetësisë.
Kontrolleve mjekësore u nënshtrohen nxënësit e klasave I, V dhe IX, çdo vit. Mirëpo për shkak të pandemisë, kontrolli paraprak ishte në vitin 2019. Tani, sipas të dhënave, 26 për qind të nxënësve në Komunën e Prishtinës janë në mbipeshë.
Për ta parandaluar obezitetin te fëmijët, në shkollën “Qamil Batalli” në kryeqytet kanë thënë se zhvillojnë aktivitete vetëdijesuese për rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme.
“Që nga klasa e parë, në bazë të planprogramit janë të përfshira edhe disa lëndë mësimore, vetëdijesimi i nxënësve pra në ushqyerje të shëndetshme, njeriu dhe natyra, edukata fizike dhe shpeshherë shoqëria dhe mjedisi. Përmes këtyre lëndëve, fëmijët e mësojnë piramidën e ushqimit”, ka treguar mësimdhënësja e ciklit të ulët, Suzana Xhemajli.
Mësimdhënësja Valdrina Nekoviqi ka thënë se për të arritur efektin komunikojnë edhe me prindërit.
“Ne mësimdhënësit zakonisht kur e shohim që një nxënës është fiksuar shumë mbas ushqimit dhe, është duke shtuar peshë dhe të vazhdueshme, atëherë komunikimi me prindër është i vazhdueshëm e qenësor. Zakonisht ka raste kur edhe referohet te psikologu në mënyrë që të ndikojë në vetëdijesimin e nxënësit”, ka thënë mësimdhënësja e ciklit të ulët.
Disa nga shkollat në Prishtinë janë të pajisura me kuzhina të kontraktuara nga kompanitë private, të cilat u shërbejnë nxënësve sandviçë e ushqime të ëmbla, që sipas dietologes Dhurata Halabaku kontribuojnë në shfaqjen e mbipeshës dhe obezitetit te fëmijët.
“Ushqimet e shpejta nuk janë të shëndetshme, pasi që nuk i përmbushin nevojat e organizmit me nutrientët e nevojshëm. Ato, përkundrazi, janë me shumë yndyrë dhe sheqer. Dhe e gjithë kjo kontribuon në shfaqjen e mbipeshës dhe obezitetit tek fëmijët”, ka thënë ajo.
Në shkollën “Qamil Batalli”, e cila po ashtu u shërben sandviçë, drejtori Liridon Maliqi ka thënë se menyja e ushqimit është e përpiluar nga Këshilli i Prindërve. Ai theksoi se 80 për qind e nxënësve marrin ushqim nga shtëpia. Sipas tij, institucioni që ai udhëheq në bazë të kontrolleve mjekësore ka rezultuar se nxënësit e kësaj shkolle nuk kanë probleme me mbipeshën.
Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk kanë treguar nëse kanë kryer inspektime nëpër shkolla, ashtu siç e parasheh Udhëzimi Administrativ i vitit 2019 për të ushqyerit e shëndetshëm të fëmijëve në institucione arsimore.
E në Drejtorinë e Arsimit kanë thënë se nuk ka të dhëna të finalizuara as sa shkolla janë të pajisura me kuzhina.
Nga kjo drejtori dhe ajo e Shëndetësisë kanë thënë se janë duke bërë një studim të fizibilitetit për opsionet eventuale për ushqim të shëndetshëm në shkolla.
Drejtori i Shëndetësisë, Izet Morina, ka thënë se është planifikuar që t’i trajnojnë mësimdhënësit dhe prindërit për kulturën e ushqyerjes së shëndetshme.
“Duhet të mendojmë për mënyrën e të ushqyerit dhe mënyrën e sjelljes së fëmijëve, që ata të fokusohen, edhe shkollat, por edhe prindërit të mendojnë që fëmijët duhet të jenë më shumë në aktivitete fizike sesa të qëndrojnë në rrjete sociale, me telefona, me pajisje të tjera”, ka thënë Morina.
Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi, ka fajësuar mungesën e hapësirave publike për të zhvilluar aktivitete sportive të fëmijëve. Sipas tij, problemi i mbipeshës do të theksohet edhe më shumë bazuar në kushtet aktuale infrastrukturore.
“Ka mundësi që Kosova, sidomos Prishtina, të jetë ndër vendet me më së paku hapësira publike për aktivitete të fëmijëve dhe me më së paku kohë të angazhimit nëpër aktivitete sportive të fëmijëve. Andaj problemi i mbipeshës do të theksohet edhe më shumë, fatkeqësisht, me kushtet aktuale”, ka thënë Demi.
Përpos rritjes së mbipeshës, sipas të dhënave të Drejtorisë së Shëndetësisë, është rritur edhe përdorimi i syzave krahasuar me kontrollet e vitit 2019. Nga 9% të fëmijëve që kanë mbajtur syze, tani përqindja ka shkuar në 12.