Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në kuadër të Javës së Bibliotekës në Kosovë është hapur biblioteka e Adem Demaçit, ku i biri i tij ka deponuar një prej shkrimeve të veprimtarit të çështjes kombëtare.
Aty ka marrë pjesë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili ka bërë thirrje që të lexohen librat e Demaçit.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se kjo bibliotekë flet me fjalët e Adem Demaçit.
“Nuk mjafton t’i lexojmë librat e bacës Adem e të mësojmë për të, por duhet të shkojmë edhe tek biblioteka Adem Demaçi dhe te Adem Demaçi si bibliotekë, të lexojmë librat e tij por edhe të lexojmë librat që ai lexoi”, ka thënë ai.
Ndërsa Shqiptar Demaçi, ka lexuar idenë për lëvizjen politike, të shkruar nga babai i tij.
Ai ka bërë të ditur se të njëjtën letër, me shkrimin origjinal të Adem Demaçit, do ta deponojë në bibliotekë.
Në anën tjetër, kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare, Bardh Rugova, ka folur edhe për rëndësinë që ka aktiviteti i Javës së Bibliotekës.
Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi ka bërë thirrje që të mbrohen koleksionet e trashëguara.
“Ju bëj thirrje nga pozicionet tuaja që të mbrojmë pronën tonë intelektuale, dokumentet, librat dhe të gjitha koleksionet e trashëguara dhe t’i përdorim ato në mënyra që lartësojnë vlerën e kërkimit dhe cilësinë e mësimit duke avokuar për vetëdije më të lartë për këtë pasuri”, ka thënë Qerimi.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka hapur edicionin e 20 të Javës së Bibliotekës.
Aktivitetet do zgjasin deri me 28 maj ku do të ketë ligjërata e diskutime me temën “Biblioteka dhe shërbimi i referencave”.