Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Rezultatet e testit të fundit PIRLS tregojnë se nxënësit e Kosovës nuk qëndrojnë mirë në lexim, pasi janë renditur nën mesataren e këtij testimi. Drejtues të organizatave që merren më promovimin e leximit po vlerësojnë se këto rezultate kanë qenë të pritshme dhe se institucionet përgjegjëse nuk po i marrin për bazë këto rezultate për përmirësimin e cilësisë në arsim.
Në qershor të vitit 2021 nxënësit e disa shkollave që ishin përzgjedhur në Kosovë për herë të parë kanë marrë pjesë në Testin Ndërkombëtar për lexim “PIRLS 2021”, e që rezultatet nuk janë të kënaqshme pasi janë renditur nën mesataren e këtij testimi dhe të fundit nga vendet e rajonit. Drejtori i Organizatës “ETEA”, Agon Ahmeti, i tha Radio Kosovës se është fatkeqësi se pas rezultateve të dobëta që po arrin nxënësit e Kosovës në testime të ndryshme siç është PISA, nuk po merren për bazë këto rezultate dhe të bëhet diçka në nivel nacional për përmirësimin e kësaj gjendjeje.
“Fatkeqësi konsideroj është që nuk po punohet mandej me rezultate e nxjerra nga këto teste. Bazuar në rezultatet e testit PISA nuk është që kemi parë ndonjë ndërmarrje në nivel nacional të politikave për të përmirësuar rezultatet. Jo vetëm për të përmirësuar rezultatet për hir të testeve, por që të merren për bazë këto rezultate e të punohet për të avancuar sistemin arsimor në Kosovë”, tha ai.
Ahmeti, shtoj se Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës sa më shpejt duhet të krijojnë një grup punues në nivel të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë për hartimin e një plani strategjik për qasje të re në lexim.
“Gjeja e parë që konsideroj që duhet bërë është që Ministria e Arsimit, pse jo bashkë me atë të Kulturës meqenëse jemi duke folur për pjesën e leximit, të krijojë një grup punues të ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë për të hartuar një plan strategjik, qasje të re të mësimdhënies në raport me librin dhe procesin e të lexuarit. Dhe po ashtu të bashkojë anëtarë e organizata të shoqërisë civile që kanë përvojë dhe kanë bërë punë në këtë drejtim”, tha Ahmeti
E, njohës të Arsimit po vlerësojnë se këto rezultate nuk janë dhe se është e domosdoshme të promovohet të lexuarit në çdo lëndë mësimore. Rinor Qehaja nga instituti “ Edguard” i tha Radio Kosovës së shkollat duhet të kenë qasje të pakufizuar në literaturë të pakufizuar dhe se kërkohet angazhim i të gjithëve për përmirësimin e gjendjes.
“ Ngecjet në lexim të nxënësve kosovarë nuk janë befasi po aq sa nuk është befasi edhe neglizhenca institucionale e të nxiturit për të lexuarit në shkollat tona. Të lexuarit duhet të promovohet në çdo lëndë mësimore si përkushtim nga çdo mësimdhënës për çdo nxënës. Shkollat duhet të kenë qasje të pakufizuar në tituj të ndryshëm, në literaturë të përditësuar jo të vjetërsuar por në literaturë interesante që nxitë kureshtjen për lexim nga ana e nxënësve. Është përgjegjësi e të gjithëve e terë komunitetit që të nxisim së bashku të lexuarit si rutinë tek rinjtë për të siguruar kështu një të ardhme të shendoshë për të gjithë nxënësit”, tha Qehaja.
Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ditë me parë ka njoftuar që shumë shpejt do të fillojë ora e Leximit në të gjitha shkollat fillore të Prishtinës, për të gjitha nxënësit e klasës së para deri në të pestën.
Rezultati i Kosovës në testin e leximit PIRLS është 421 pikë në renditje, mesatare kjo dukshëm më e ulët se pikët prej 500 të PIRLS. PIRLS është një studim ndërkombëtar i prirjeve në lexim, i cili zhvillohet që nga viti 2001 dhe mbahet çdo 5 vjet dhe aktualisht marrin pjesë 50 shtete. E në vitin 2021 për herë të parë ka marrë pjesë edhe Kosova dhe pjesë e testit ishin vetëm nxënësit e klasave të katërta.
Ndryshe, ky lloj testimi ka qëllim matjen e arritjeve të nxënësve të klasave të katërta në lexim, ndërkaq shërben për krahasimin e efikasitetit të metodave të mësimdhënies në një kontekst global./rtk/