Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Trendi i braktisjes së shkollave në Kosovë po vjen duke u rritur nga viti në vit, ndërsa vitin e kaluar kanë lënë shkollën 1 mijë e 384 nxënës.
Në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti shkollor, kanë braktisur shkollimin rreth 400 nxënës, pasi kanë migruar jashtë Kosovës. Numri më i madh i braktisjes, u regjistrua në arsimin e mesëm të lartë, ndërsa njohësit thonë se kjo ka ndikuar në çrregullimin e procesit arsimor dhe se dëmet do të jenë të pariparueshme.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, në vitin shkollor 2021/2022, e kanë lënë shkollën 1 mijë e 384 nxënës, prej tyre 90 nga niveli fillor dhe 1 mijë e 294 në nivelin e mesëm të lartë. Në vitin shkollor 2020/2021, e kanë braktisur shkollën 992 nxënës, prej tyre 109 në nivelin fillor, ndërsa 883 në arsimin e mesëm të lartë. Në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti shkollor, kanë lënë mësimin 442 nxënës, prej tyre 58 në nivelin fillor dhe 384 në arsimin e mesëm të lartë.
Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Arsimit, shkaqet e braktisjes së shkollimit ndikohen nga faktori ekonomik, ai social dhe faktori familjar, e nuk përjashtohet edhe faktori individual dhe ai shkollor. Braktisja e Kosovës nga qytetarët për një jetë më të mirë drejt shteteve të Bashkimit Evropian, konsiderohet nga ekspertët si ndër fenomenet që do ketë pasoja të rënda për Kosovën.
Sipas demografëve, edhe Kosova ka një ulje drastike të lindjeve dhe nëse do të vazhdojë një trend i tillë i natalitetit, brenda 10 viteve numri i popullsisë në Kosovë pritet të pësojë rënie të ndjeshme.