Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ka filluar projekti për “Orën e leximit”, në disa shkolla të kryeqytetit me qëllim përmirësimin e lexim-kuptimit për fëmijët nga klasa e parë në të pestën.
Ky projekt në bashkëpunim me organizatën ETEA synon përmirësimin e rezultateve të testit PISA, ku ilën rezultatet e fundit kanë treguar që 15-vjeçarët në Kosovë janë performues të dobët te leximit.
Gjatë konferencës për media, drejtoresha për Arsim në Prishtinë, Besianë Musmurati tha se konceptin e kësaj ore të leximit e kanë marrë nga Suedia dhe Kanadaja, ku të dyja shtetet kanë pasur probleme në lexim-kuptim të nxënësve dhe e kanë nxjerrë si politikë që ka dhënë rezultate konkrete.
Musmurati derisa ka treguar më shumë detaje për këtë nismë, tha se shuma e investuar është rreth 100 mijë euro dhe të gjitha librat do të dërgohen nëpër shkolla, ku secili nxënës do të ketë kopjen e vet gjatë orës së leximit.
“Projekti që e kemi filluar së bashku me ETEA-n ka të bëjë me zhvillimin e shkathtësive te leximit tek fëmijët dhe mendimit kritik. Kësaj radhe kemi filluar një projekt jo si pilotim, por si politikë të re. Të gjithë kemi parë statistikat alarmuese që kanë dalë nga PISA, ku gati se në të gjitha fushat nxënësit në nivel vendi kanë zhvillim jo të mjaftueshëm, ku në fushën e leximit rezultatet kanë treguar se që 15-vjeçarët në Kosovë janë performues të dobët te leximit”, tha Musmurati.
Musmurati tha se deri më tani në ato shkolla që ka filluar ora e leximit, kanë marrë komente pozitive, qoftë nga fëmijët, mësimdhënësit apo prindërit.
Ajo shtoi se ndërkohë do të realizojnë edhe projekte të mira që të vërehet një përmirësim i dukshëm në rezultatet e testit PISA.
Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i organizatës ETEA, Agon Ahmeti tha se gjatë hulumtimit që kanë bërë në disa shkolla për projektin, ka rezultuar që kjo nismë po kontribuon direkt në të mësuarit logjik, atë edhe për çfarë po synojnë.
Ahmeti tha se deri në fund të këtij viti po planifikojnë që t’i trajnojnë të gjithë mësimdhënësit dhe t’i përfshijnë të gjitha shkollat e kryeqytetit.
Ndërsa, nxënësja e klasës së pestë, Noa Sefa ka treguar se si e zhvillojnë orën e leximit.
Ajo tha se kjo iniciativë është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga e gjithë shoqëria e saj, pasi që iu ndihmon të kuptojnë më shumë për atë që lexojnë.
Fëmijët do të lexojnë libra që atyre ju pëlqejnë. Do të lexojnë “Utën e Maleve”, “Piter Panin”, “Princin e Vogël”, “Aventurat” e Profesor Kantit. Po ashu “Çarlin” që transformohet në T-Rex, “Ditarin e Djaloshit Nerd”, do të mësojnë për Musinë Kokalarin, Greta Thunberg, Nënë Terezën, e shumë e shumë personazhe të tjera.