Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Inspektorati në Prishtinë ka zhvilluar një aksion të dielën për lirimin e hapësirave publike në rrugët në afërsi të Tregut të veturave.
Drejtoria e Inspektoratit në këtë komunë e ka cilësuar aksion të madh këtë zhvillim, i cili ka nisur në orët e hershme të mëngjesit.
Ky aksion është zhvilluar me qëllim që të mos rrezikohet shëndeti i qytetarëve nga therja e shpezëve në kushte të papërshtatshme.
“Sot që nga orët e hershme të mëngjesit Drejtoria e Inspektoratit - Komuna e Prishtinës ka zhvilluar një aksion i madh në koordinim edhe me policinë e Kosovës me qëllim të lirimit të hapësirave publike në rrugët në afërsi të Tregut të veturave, zonë në të cilën përveç papastërtisë që krijohet zakonisht, rrezikohet edhe shëndeti i qytetarëve nga therja (prerja) e shpezëve në kushte totalisht të papërshtatshme”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit në Prishtinë.
Për aksionin ka njoftuar edhe Ministria e Bujqësisë. Sipas, Ministrit ky aksion i hershëm i të dielës, ishte iniciuar nga ministri Faton Peci.
Peci vetë ishte prezent në aksionin së bashku me drejtorin ekzekutiv të AUV-it, Flamur Kadriu dhe inspektorët veterrinarë.
“Ka qenë interesim i imi të bashkëbisedoj me të gjithë ata që frekuentojnë këto hapësira për shitjen dhe therrjen e bagëtive që së bashku të gjejmë një zgjidhje në mënyrë që këto veprime të mos përsëriten. Do të angazhohem që së bashku me Kryetarët e Komunave ta gjejmë një zgjidhje të përbashkët pasi që pamjet e therjeve e gjakosjeve në hapësira publike buzë rrugëve nuk u përkasin shoqërive Evropiane. Kësaj problematike jam i interesuar ti bëj zgjidhjen me të mirë pa e dëmtuar asnjë grup shoqërorë. Nga kryetarët e komunave do të kërkoj të bëhen veprimet për caktim lokacionesh, regjistrim nga komuna, pastaj titullari të regjistrohet si subjekt në ARBK- MINT dhe pas këtyre hapave ta finalizoj edhe regjistrimin apo licencimin në AUV”, tha Peci.