Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se kryeqytetit do t’i shtohet edhe një shkollë e re.
Përmes një videoje të publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook, Rama ka bërë të ditur se të enjten do të vendoset gurthemeli për ndërtimin e shkollës nëntëvjeçare në lagjen Qëndresa (Prishtina e Re, zona perëndimore).
Me këtë ai ka thënë se po bëhet realitet një tjetër premtim i fushatës.
“Një tjetër premtim i fushatës, ndërtimi i shkollës nëntëvjeçare në lagjen Qëndresa (Prishtina e Re, zona perëndimore) po bëhet realitet. Nesër vendosim gurthemelin për ndërtimin e shkollës me sipërfaqe prej 6.726 m²”, ka deklaruar Rama.
I pari i Prishtinës tutje është shprehur se ky është projekt është shumëpritur prej banorëve të zonës, ka impakt pozitiv zinxhiror, jo vetëm për prindërit, nxënësit dhe arsimtarët, por për të gjithë qytetarët e kryeqytetit.
Sipas tij, ndërtimi i kësaj shkolle, si dhe i dy të tjerave në të ardhmen e afërt, me modalitetin publiko-privat, do ta lehtësojë dukshëm barrën aktuale të mësimdhënësve në klasat e stërmbushura me nxënës, si dhe trafikun e ngarkuar prej lëvizjeve drejt qendrës së qytetit.
“Më pak stres për prindërit, arsimtarët e qytetarët. Më shumë cilësi e punësim. Më shumë mundësi për një të ardhme më të ndritur për fëmijët tanë”, ka deklaruar Rama.