Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në kohën e mespranverës Ministria e Shëndetësisë i ka në stok mbi 15 mijë vaksina të gripit sezonal për vitet 2022-2023, që nuk i ka të shfrytëzuara.
Ato patën mbërritur në Kosovë në fundtetorin e shkuar dhe për një vaksinë kjo ministri kishte paguar shumën prej 5.5 eurosh, që nënkupton se ky institucion rrezikon që t’i humbasë rreth 90 mijë euro shkaku i keqplanifikimit për këtë produkt.
Rreth 10 mijë vaksina u ishin shpërndarë qendrave të mjekësisë familjare, por nuk janë shfrytëzuar, ndërsa mbi 5 mijë të tjera nuk kanë dalë fare nga Depoja Qendrore e Barnave e Ministrisë së Shëndetësisë.
E nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim kjo ministri nuk i ka kontestuar këto shifra, porse ka thënë që sezoni i gripit nuk ka përfunduar ende dhe që është më mirë që vaksinat të teprojnë sesa të mungojnë.
“Të dhënat e prezantuara në javën e imunizimit nuk janë përfundimtare, sepse ende nuk ka përfunduar sezoni i gripit dhe vaksinimi vazhdon gjatë gjithë kohës. Askush nuk mund të garantojë, në asnjë vend, se çdo vaksinë e siguruar do të përdoret, sepse kjo ndikohet nga faktorë të ndryshëm, por gjithmonë është më pak e dëmshme dhe më e dobishme për shëndetin e popullatës nëse mbetet ndonjë vaksinë, sesa të ketë kërkesa nga qytetaret për vaksina e ato të mungojnë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Nga ky institucion kanë thënë se shkaku i pandemisë viteve të fundit ka pasur rënie të personave të vaksinuar kundër gripit sezonal në gjithë botën.
“Meqë keni qenë në Javën e Imunizimit, besojmë që keni marrë edhe informacionin se vaksinimi i rregullt pothuajse në çdo vend gjatë dy vjetëve të parapandemisë ka pasur rënie në marrjen e disa lloje të vaksinave, si pasojë e periudhës së izolimit dhe faktorëve të tjerë kufizues”, thuhet në përgjigje.
Masë të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve shkaku i pandemisë COVID-19 nuk ka pasur në Kosovë që nga tetori i vitit të shkuar. Në një përgjigje të Ministrisë sqaruan se sezoni i gripit konsiderohet periudha nga vjeshta e deri në maj dhe se vaksinat që janë në stok kanë edhe disa muaj afat përdormi.
“Vaksinat e gripit të këtij sezoni janë ende nën administrim, sezoni i gripit konsiderohet nga vjeshta deri në maj, ndërsa vaksinat në përdorim kanë edhe disa muaj afat përdorimi”, thuhet në përgjigje.
Por, vaksinat e një sezoni nuk mund të përdoren për sezonin pasues dhe ato që nuk përdoren deri në maj bëhen të papërdorshme.
Ministria e Shëndetësisë ka pasur edhe në të shkuarën raste të skadimit të afatit të vaksinave ndaj gripit sezonal. Në kohën kur Qeveria udhëhiqej nga Lidhja Demokratike, afati u qe skaduar rreth 70 mijë vaksinave në vlerë prej qindra e mijëra eurove.