Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ekonomitë e Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë janë rritur duke tejkaluar nivelet e tyre para pandemisë, pavarësisht pasojave nga pushtimi rus i Ukrainës, rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, kushteve të pafavorshme të motit, shtrëngimit të kushteve financiare dhe pasigurisë së konsiderueshme. Kështu shkruan në edicionin e fundit të Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, të publikuar sot nga Banka Botërore.
Raporti thekson se perspektiva për Ballkanin Perëndimor mbetet e zbehtë, me rritjen e Bruto Prodhimit Vendor që pritet të ngadalësohet në 2.6 për qind në vitin 2023, e nxitur kryesisht nga konsumi privat, eksportet dhe, për disa vende, nga investimet publike.
“Rajoni tani përballet me sfidat e rindërtimit të rezervave për t'u përgatitur për përballimin e goditjeve të ardhshme dhe realizimit të reformave në anën e ofertës që vendosin themelet për një rritje më të qëndrueshme dhe më të gjelbër”, thuhet në raport.
“Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë shfaqur qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, pavarësisht përballjes me pengesa të jashtëzakonshme ekonomike”, tha Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Për të vazhduar përballimin e tronditjeve të shkaktuara nga goditjet e shumëfishta ekonomike, vendet mund të përfitojnë shumë duke vijuar zbatimin e reformave që nxisin produktivitetin në periudhë afatmesme, të tilla si përshpejtimi i integrimit rajonal, rritja e nivelit të konkurrencës në treg, tërheqja e investimeve me cilësi më të lartë dhe lehtësimi i barrierave që kufizojnë pjesëmarrjen, veçanërisht të grave, në tregun e punës.”
Raporti vë në dukje se në Kosovë, në vitin 2022 u shënua një rritje më e lehtë ekonomike prej 3.5 përqind, e shtyrë nga eksportet dhe konsumi privat—i cili vazhdoi të tregojë qëndrueshmëri pavarësisht presioneve inflacioniste.
“Pozita fiskale vazhdoi të përmirësohej, udhëhequr nga performanca e vazhdueshme pozitive e të ardhurave publike kundrejt efekteve të inflacionit dhe përfitimeve nga rritja e formalizimit, si dhe nga nën-shpenzimi i investimeve kapitale”.
Më tej theksohet se përgjatë 2023, rritja e Bruto Prodhimit Vendor pritet të jetë pak më e lartë, duke arritur në 3.7 përqind.
“Megjithatë, rreziqet mbeten të larta. Presionet mund të rriten në rast të përshpejtimit të inflacionit dhe ngadalësimit të rritjes së ekonomive të BE-së përtej pritjeve të tanishme”.
“Inflacioni në Ballkanin Perëndimor u rrit ndjeshëm në vitin 2022 duke arritur në nivelin më të lartë të dy dekadave të fundit, dhe presionet në kahun e rritjes së çmimeve vijojnë të jenë të larta edhe në fillim të vitit 2023”, thuhet në raport.
Në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, inflacioni i çmimeve të konsumit arriti nivelin më të lartë nga fundi i vitit 2022, i nxitur nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, ndërsa tani po shfaq shenja të uljes, ku faktorët e jashtëm nxitës po zbehen për shkak të ngadalësimit të rritjes së ekonomisë botërore.
Raporti shton se një fushë investimi me potencial për përfitime të rëndësishme ekonomike për Ballkanin Perëndimor është ajo në efiçencën e energjisë.
Madje edhe përmirësimet në nivele të moderuara në efiçencën energjetike të firmave do të sillnin reduktime të konsiderueshme të emetimeve të gazrave serrë të lidhura me energjinë, do të rrisnin fitimet e firmave, do të krijonin përfitime të mëdha sociale dhe do të ndihmonin në mbrojtjen ndaj goditjeve të ardhme në çmimet e energjisë elektrike dhe gazit.