Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Mini-bibliotekat si kabina telefonike lidhin librin me lexuesin

Vendi  |  19.04.2023 Ora 10:35   

Objektet në formën e kabinave telefonike, që tash e një shekull janë imazh ikonik i Britanisë së Madhe, në Ferizaj e Viti janë bërë mini-biblioteka. Me këtë nismë, juristja Xhezide Selimi synon ta forcojë lidhjen midis librit dhe lexuesit. “Qëllimi kryesor ka qenë ta afrojmë lexuesin te libri”, ka thënë Selimi

 

Kabinat e kuqe telefonike – ikona shekullore të Britanisë së Madhe – janë modifikuar si mini-biblioteka. Është ideja e juristes, që synon ta afrojë librin me lexuesit, të ndalen aty për një tjetër përvojë.
 

Përderisa një qëndron mu në qendër të sheshit të Vitisë, Ferizaj e mban pak metra larg bibliotekës së qytetit “Sadik Tafarshiku”, së cilës themelet iu vunë në fillim të viteve ’50. Kapërcimi nëpër shesh e ndeshja me libra në një ambient ndryshe, është një nismë që synon që librin ta bëjë më të përhapur te njerëzit.
 

Shpesh bibliotekat janë pjesë e shesheve në qytete të ndryshme. Në Viti e Ferizaj janë ngritur të tilla më të veçanta e më interesante. E pazakonta qëndron në atë se raftet e librave nuk qëndrojnë në objekte të murosura, por në një kabinë prej druri, në format e kabinave dizajnuar prej Sir Giles Gilbert Scottit.

 
 

Përderisa sipër derës së saj shkruan “Telephone”, me të hyrë takimi me librin është i menjëhershëm. Në Ferizaj zë vend në tarracën e kafenesë me enterier britanik. Kriteri i vetëm është që libri që merret, të rikthehet si një mundësi a alternativë për lexim edhe për dikë tjetër. Pos në qytetin e ndarë prej hekurudhës, mini-bibliotekë të tillë ka edhe Vitia.

 

Mini-biblioteka gati të ngjashme në koncept, por jo edhe në formë si kabina telefonike, ka edhe Prishtina qysh prej vitit 2019, me një projekt të organizatës joqeveritare ETEA. Por prej 12 sosh, sot kanë mbetur vetëm disa, dhe një nismë e tillë qysh prej fillimit nuk funksionoi. Mini-bibliotekat janë shkatërruar dhe ka pasur rast që janë vjedhur edhe për skrap.

Por juristja Xhezide Selimi vendosi që të rikthejë këtë trend me shpresën dhe qëllimin e mirë; që ato të funksionojnë dhe qytetarët përmes tyre të lexojnë më shumë. Madje edhe Prishtina është njëri ndër vendet në të cilin Selimi synon të ngrejë kabinat me libra falas.
 

“Qëllimi kryesor ka qenë ta afrojmë lexuesin te libri. E dimë që ka shumë biblioteka publike në secilin qytet të Kosovës, por këto biblioteka të vendosura në sheshe janë shumë më të lehta për një lexues që dëshiron ta marrë një libër, sepse nuk ka kurrfarë rregulli. Vetëm vjen, e merr një libër, e lexon dhe e kthen”, ka thënë Selimi, duke shpjeguar idenë dhe qëllimin që ajo si ideatore e kësaj nisme ka pasur kur e ka filluar një rrugëtim të tillë mes librash. “Sigurisht që edhe të gjithë ata që dëshirojnë të dhurojnë një libër nga biblioteka e tyre mund ta dhurojnë për bibliotekën e qytetit. Ka njerëz që e kanë lexuar dhjetëra herë një libër, kështu që pse mos ta dhurojë atë libër për bibliotekën e qytetit, që edhe dikush tjetër që s’ka pasur mundësi ta lexojë atë libër, ta marrë dhe ta lexojë”, ka thënë ajo.
 

Prania e kabinave telefonike në qytetet që ajo i frekuenton më shumë ka bërë që duke pasur shembull vendet e huaja, Selimi t’i zgjedhë ato për t’i modifikuar në këtë mënyrë. Me anë të një pamjeje të këndshme që ajo fal të zgjojë kureshtjen e publikut dhe lexuesit në njëfarë forme t’i vërë në “kurth”.
 

“Në shumë shtete të tjera kam parë që kabinat e telefonit janë shndërruar në mini-biblioteka. E kam parë edhe në Viti, edhe në Ferizaj që janë kabinat e telefonit, që përdoren vetëm për zbukurim. Kam parë që nuk kanë ndonjë tjetër rol. Thash që pse jo që këto dy kabina të telefonit t’i shndërroj në mini-biblioteka. Pse jo njerëzit edhe nga kureshtja e marrin një libër, e lexojnë dhe e rikthejnë në mini-bibliotekë”, ka thënë Selimi.
 

E reja sa u përket këtyre kabinave nuk qëndron te libri falas, por në kreativitetin me anë të të cilit ai i është sjellë më afër lexuesit. Dallimi mes secilës bibliotekë publike dhe këtyre të fundit qëndron në mënyrën se si librat mund të merren pa ndonjë procedurë. E vetmja përgjegjësi është ajo e lexuesit. Ndonëse ka rreth dy muaj që janë vendosur, kjo mënyrë e librit afër lexuesve ka bërë që numri i librave pjesë të këtyre kabinave të zvogëlohet dukshëm.
 

“Mini-biblioteka e parë në një kabinë telefoni është hapur në Viti më 17 shkurt. Atje kanë qenë afro 400 libra, mirëpo tash nuk janë as 40. Kjo do të thotë që librat janë në dorën e lexuesve. Njëjtë edhe këtu. Këtu është hapur 2 ose 3 javë pas hapjes në Viti. Mirëpo edhe këtu e shoh që shumë tituj që i kam sjellë, mungojnë. Pra, fatmirësisht janë në dorë të qytetarëve dhe ata po i lexojnë”, ka thënë me optimizëm Selimi, e cila, pos leximit, si pasion ka edhe poezinë dhe së shpejti synon ta botojë librin e saj.
 

Edhe pse jo shumë të mëdha, në këto kabina u sistemuan një numër i konsiderueshëm i librave, për mbledhjen e të cilëve Selimi u ndihmua nga njerëz që përkrahën iniciativën e saj.
 

“Mbledhja e librave është bërë në atë formë që në secilën komunë kemi bashkëpunuar me klube letrare dhe shtëpitë botuese të atij vendi. E dimë që në secilin qytet zakonisht ka një klub letrar që organizon aktivitete të ndryshme. Mirëpo ka pasur edhe autorë individualë që kanë vendosur që librat e tyre t’i sjellin në mini-bibliotekë”, ka thënë ajo.
 

Nisur nga dashuria që ajo ka për leximin e pasionin që ka për të shkruar poezi, juristja pos idesë së mini-bibliotekave në kabinë telefonike, solli edhe një tjetër inovacion me to. Në secilin libër shkroi një mesazh që inkurajon lexuesin të rikthejë librat në vendin e tyre e madje edhe të kontribuojë duke dhuruar.
 

“Jo vetëm në kabinë e kemi vendosur shkrimin që librat duhet të kthehen përsëri në mini-bibliotekë. Mirëpo në bibliotekën e dytë që e kemi hapur ka lind ideja që këtë ta shkruajmë në secilin libër. Ky libër është pjesë e bibliotekës publike dhe me anë të një shkrimi thuhet se ky duhet të kthehet në bibliotekë. Unë nuk besoj që dikush që e lexon këtë libër me këtë mbishkrim do të hezitojë ta kthejë në bibliotekë. Sigurisht që librin do ta kthejë sërish aty ku e ka vendin në mënyrë që edhe dikush tjetër ta ketë mundësinë që ta marrë e ta lexojë atë. Kjo shkon si cikël. Vazhdimisht marrin libra, kthejnë, por pse jo edhe të dhurojnë nga bibliotekat në shtëpitë e tyre”, ka thënë juristja nga Vitia.
 

Synimi i ideatores është që kabinat si mini-biblioteka të zgjerohen edhe në qytete të tjera. Mini-biblioteka publike e radhës e improvizuar në një ambient të tillë do të hapet në fillim të majit në Gjilan.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing