Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Inflacioni bazë pësoi një rënie të ndjeshme në muajin mars të këtij viti.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues zbriti në 6.49 %, nga niveli rekord historik prej 8.74 % ku kishte qëndruar për muajt janar dhe shkurt.
Inflacioni bazë mat ndryshimin e çmimeve të konsumit, duke përjashtuar ato produkte që për nga natyra e tyre kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike.
Qëllimi i inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga efektet e goditjeve të ofertës apo nga faktorë të tjerë me ndikim afatshkurtër. Duke qenë se përfaqëson komponentin më të qëndrueshëm të rritjes së çmimeve, ecuria e inflacionit bazë është veçanërisht e rëndësishme në këndvështrimin e vendimmarrjes së politikës monetare.
Inflacioni mesatar në ekonomi në muajt e fundit ka shënuar rënie të ndjeshme dhe për marsin zbriti në 5.3 %, niveli më i ulët që prej shkurtit 2022. Rënia e inflacionit është përcaktuar kryesisht nga ulja e çmimeve të karburanteve, por, gjithashtu, edhe nga efekti statistikor i bazës krahasuese, i përmendur më sipër edhe për inflacionin bazë (rritja e fortë e çmimeve nisi pikërisht në mars të një viti më parë).
Pavarësisht zbutjes së muajve të fundit, rreziqet inflacioniste ngelen ende të pranishme. Paralajmërimi i qeverisë për një rritje të fortë të pagave në sektorin publik këtë vit pritet të mbështesë qëndrueshmërinë e kërkesës së brendshme dhe të mbajë të larta presionet inflacioniste.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë rriti përsëri normën bazë të interesit në muajin mars me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar në 3 %, niveli më lartë në dekadën e fundit, me qëllim përballimin e rritjes se inflacionit.