Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Përvojat skandinave në rregullimin mjedisor në Kosovë do të ishte e dobishme dhe interesante. Në këtë aspekt do të ishte ndihmesë e madhe bartja e përvojave të personave që jetojnë e veprojnë në Skandinavi, më konkretisht në Danimarkë.
Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, për të trajtuar për natyrën, gjelbërimin vertikal e biodiversitetin, Naim Abazi, agronom, është ftuar që të paraqesë përvojat e tij në këtë fushë në Danimarkë.
Naim Abazi, përmes aktivitetit praktik dhe teorik, përmes teksteve të shkruara e që presin daljen në dritë të tyre, shpreh gatishmërinë e tij të bartë gjithë përvojën e tij në Kosovë, atdheun e tij, ku është lindur, rritur dhe shkolluar në këtë fushë.
Veç kësaj, ai trajtoi çështjen e mjedisit në sferën e zhvillimit ekonomik.
“Kam dëshirë që përvojën time të arrirë atje ta bart këtu, fillimisht me libra e pastaj me projekte konkrete, së pari në mjedise e lokalitete të vogla, për të vijuar me projekte madhore në nivel kombëtar”, deklaroi Naim Abazi, agronom në Kopenhagë, derisa shtoi se projektet e marra nga atje duhet përshtatur këtu, mjedisit të Kosovës.
“Skandinavia ka në fokus bujqësinë, mjedisin, ushqimin, si dhe shëndetin e njeriut”, theksoi Abazi në “Mirëmëngjesi Kosovë”.
Tutje, ai bëri të ditur aktivitetin e tij përgjatë viteve në Danimarkë, ku ka vazhduar studimet e filluar në Kosovë, për të përfunduar në Universitetin Mbretëror në Danimarkë.
Më pastaj, Abazi foli edhe për çështje të mjedisit që kanë lidhshmëri me bujqësinë, si: në spërkatjen e pemëve, e barojave, etj., që ndikojnë në ruajtjen e mjedisit tonë, në komplekset banesore, si dhe në krasitjen e pemëve, drunjte, etj.
“Në ruajtjen e mjedisit, duhet të jenë aktiv edhe banorët e komplekseve banesore, të krijohet vetëdija për ruajtjen e mjedisit,”, teksa vuri në pah dallimin e vendit tonë me Danimarkën në dendësinë e popullsisë.
Abazi përmendi edhe modelin e funksionimit të një shoqërie banesore, që qytetarët të kenë një orientim në aktivitete të ndryshme kulturore dhe jo vetëm.